Çdo ditë e më shumë, administrata e re e Donald Trumpit, i zgjedhur president i ShBA-së më 5 nëntor të këtij viti, është duke marrë formësim. Marco Rubio, ish-senator i njohur, do ta drejtojë Departamentin amerikan të Shtetit, ndërsa John Racliffe është emëruar drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), një emërim që u përgëzua nga shqiptarët për shkak të lidhjeve të Racliffe me komunitetin shqiptar në ShBA.
Megjithatë, ende nuk dihet se në çfarë pozicioni do të jetë Richard Grenell, ish i dërguar special i Trumpit për Ballkanin Perëndimor gjatë qeverisjes së parë të miliarderit amerikan. Ndonëse u përfol për disa funksione, përfshirë atë të sekretarit të Shtetit, Grenelli deri më tani nuk është emëruar zyrtarisht në Administratën Trump II.
Sidoqoftë, Valon Murati, profesor universitar dhe kryetar i Lëvizjes për Bashkim, nuk pret shumë ndryshime në qasjen amerikane karshi Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Sado të rëndësishëm që të jenë natyrat e personaliteteve udhëheqëse kudo në botë, dhe në këtë rast edhe në SHBA, e sidomos në kontekstin e fitores së një presidenti jo tipik si Tramp, megjithatë nuk besoj se shtyllat e politikës së jashtme amerikane do të lëkunden në masë aq të madhe vetëm për shkak të natyrave njerëzore. Mund të ketë prioritete të tjera, mund të ketë stil të ndryshëm të realizimit të objektivave të njëjta, por jo lëvizje të mëdha nga kornizat e politikës së jashtme amerikane” – ka thënë Murati në një prononcim për Nacionalen.
Ndërsa Labinot Balaj, analist, e ka risjellë në vëmendje përkrahjen e kryeministrit Albin Kurti për Joe Bidenin, president i 46-të i ShBA-së. Sipas Balajt, “asokohe i fryhej antagonizmit të supozuar ideologjik midis Kurtit dhe Trumpit, pra një sfondi të papajtueshëm midis një të majte progresive evropiane dhe një republikanizmi konservativ amerikan”.
Për dallim nga Murati, Balaj druan se me “dashje e pa dashje” politika e Trumpit mund të ndikojë negativisht në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shumë gjëra edhe mund të spekulohen, sepse natyra e Trumpit është tejet likuide si biznesmen që është. Gjithsesi nuk duhet përjashtuar nga diskutimi as rrethanat e gjeopolitikës globale. Trumpi ka bërë tashmë zotimin se do t’i shuajë të gjitha konfliktet e luftërat globale. Në shumë drejtime, druaj sikur kjo përpjekje pacifikuese e përqendruar në faktorë të mëdhenj të ndikojë, dashje e pa dashje, negativisht në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, pra në disfavorin tonë” – ka thënë Balaj.
Sidoqoftë, Murati ka një paralajmërim. Sipas Muratit, nëse vazhdon kleçka e pushtetit në raportet me amerikanët, atëherë “marrëdhëniet mund të pësojnë rënie të mëtejme”.
“Nëse qeveria jonë, kjo e tanishmja dhe ajo e ardhmja, vazhdojnë me të njëjtën logjikë, marrëdhëniet mund të pësojnë rënie të mëtejme. Me Trampin në krye, kjo rënie mund të marrë karakter edhe të ndonjë përplasjeje publike më dramatike, edhe për shkak të stilit të tij të lidershipit. Sigurisht, nëse ne e dimë se çfarë po duam, sidomos në raport me Serbinë, dhe punojmë afër me administratën e re amerikane, ky stil i lidershipit mund të na përshtatet që të mbarojmë punë me Serbinë dhe të ngremë nivelin e marrëdhënieve me ShBA-në” – ka thënë Murati.
Sjellim ndër mend që ShBA-ja gjatë viteve të fundit ka qenë goxha kritike ndaj disa veprimeve të Qeverisë Kurti në lidhje me veriun. Në shumë raste, ShBA-ja ka kërkuar koordinim, duke e kritikuar pushtetin e tanishëm për hapa të njëanshëm dhe rrezikim të raporteve kosovaro-amerikane.