Shefi i Shtabit të Ushtrisë së Libisë, Mohammed Ali Ahmed al-Haddad, si dhe katër zyrtarë të tjerë libianë, kanë humbur jetën në një aksident ajror pranë kryeqytetit të Turqisë, Ankara, ka bërë të ditur kryeministri libian.
Kryeministri Abdul Hamid Dbeibah deklaroi se rrëzimi i avionit, që ndodhi të martën, ishte një “aksident tragjik”, ndërsa zyrtarët po ktheheshin nga një vizitë zyrtare në Ankara.
“Kjo tragjedi e madhe është një humbje e rëndë për kombin, institucionin ushtarak dhe për gjithë popullin, pasi kemi humbur njerëz që i shërbyen vendit me sinqeritet dhe përkushtim dhe që ishin shembull i disiplinës, përgjegjësisë dhe angazhimit kombëtar”, thuhet në deklaratën e tij, raporton “ALJazeera”.
Xhandarmëria turke njoftoi se ka gjetur rrënojat e avionit që transportonte shefin e Shtabit të Ushtrisë së Libisë, i cili ishte zhdukur pak pas ngritjes nga kryeqyteti turk. Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha se rrënojat e avionit tip “Falcon 50”, i cili ishte nisur nga aeroporti Esenboga i Ankarasë drejt Tripolit, janë gjetur rreth dy kilometra në jug të fshatit Kesikkavak, në distriktin Haymana, rreth 74 kilometra nga Ankara.
Sipas Yerlikayas, avioni ishte ngritur në orën 20:10 të së martës, ndërsa kontakti me radio ishte humbur në orën 20:52. Ai shtoi se fluturimi kishte kërkuar një ulje emergjente mbi distriktin Haymana, por më pas nuk ishte vendosur më asnjë kontakt.
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë kishte njoftuar më herët për vizitën e al-Haddadit në Ankara, duke bërë të ditur se ai ishte takuar me homologun e tij turk dhe komandantë të tjerë ushtarakë. Turqia mban lidhje të ngushta me qeverinë e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli, të cilës i ofron mbështetje ekonomike dhe ushtarake.


