Ka vdekur njëri nga të plagosurit e ngjarjes së orëve të para të ditës së sotme.
Viktima është 49 vjeçar, teksa lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës përmes një komunikate, përcjell GazetaBlic.
Më poshtë edhe njoftimi i plotë.
Me datën 10 korrik 2021, në ora 00:20, policia në Mitrovicën e Jugut, ka pranuar informatën për të shtëna me arme zjarri në rrugën Evlia Qelebia. Me të pranuar informatën, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore.
Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas janë dërguar në QKUK- Prishtinë.
Ndërsa rreth orës 02:00, nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima D. S., 49 vjeçar, si pasojë e plagëve ka vdekur, ndërsa i plagosuri tjetër viktima J. S., 52 vjeçar, mbetet në tretman të mëtejmë mjekësor.
Pas ekzaminimeve të kryera në vendin e ngjarjes, hetuesit e krim-teknikës si prova materiale kanë gjetur katër (4) gëzhoja dhe një predhë të plumbit si dëshmi materiale që ndërlidhen me rastin.
Nga hetimet e deritanishme dhe dyshimet e ngritura, dy persona të dyshuar janë në kërkim policor identiteti i të cilëve tashmë është i njohur për policinë.
Rrjedha hetimore është duke vazhduar në drejtim të arrestimit të personave të dyshuar si dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.