Lajme

Vdes nga koronavirusi, gjyqtari Durim Kadiu

05/03/2021 08:19
nga:Gazeta Blic

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë në Shqipëri, Durim Kadiu, ka humbur jetën nga komplikimet e COVID-19. Pas disa javësh sfilitje, siç tregon miku i tij Kastriot Dervishi, ai ndërroi jetë më 2 maj 2021.

Gjykata e Lartë shprehu ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut Durim Kadiu, në një mesazh në rrjetet sociale, ku tregon se “z. Kadiu ka ushtruar detyrën e gjyqtarit prej vitit 1994, ka drejtuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë, Kabinetin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe vitet e fundit ka punuar si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë.”

“Ndarja e tij nga jeta, – thuhet në vazhdim, – ka trishtuar shumë bashkëpunëtorë të tij, kolegë e miq në Gjykatën e Lartë. Me anë të këtij mesazhi, dëshirojmë të shprehim edhe një herë falenderimet tona si gjykatë, për mundësinë që na u dha, për të patur pranë nesh, gjatë gjithë këtyre viteve, një bashkëpunëtor profesionist dhe të përkushtuar si Durim Kadiu dhe njëkohësisht i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes.”

Ndërsa historiani Kastriot Dervishi, shkroi në Fb: ” Për njeriun e mirë Durim Kadiu. E pabesueshme! Miku im i mirë, Durim Kadiu nuk jeton më. Sëmundja e mallkuar covid 19, e cila e sfiliti për disa javë, i mori jetën.

Nuk do kemi më midis nesh njeriun fisnik, gjyqtarin dhe familjarin shembullor. Njeri i ligjit nga viti 1994, gjyqtar, kryetar i Gjykatës së Kavajës, drejtor i kabinetit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndihmësgjyqtar i Gjykatës së Lartë, Durimi la kudo emrin e një njeriu të mirë dhe profesionisti të përkushtuar. Ngushëllime për nënën e tij, bashkëshorten dhe vajzat. Shpirti i tij pushoftë në paqe në amshim!”