Lajme

Vdekja e turistëve rusë në Shqipëri: Dyshime se mund të jenë përdorur agjentë kimikë ose biologjikë

12/14/2021 23:51
nga:M K

Në një kohë që ushtria shqiptare zhvilloi eksperimentin hetimor për të mësuar më shumë mbi shkaqet e vdekjes së 4 turistëve rusë, hetimit të çështjes i janë bashkangjitur dhe partnerët e huaj.

Burime pranë Shtabit të Përgjithshëm thanë se pajimet me të cilat u krye eksperimenti janë siguruar nga aleanca e Atlantikut të Veriut, ndërsa dy ekspertë të NATO-s kanë mbërritur në Shqipëri për të hetuar ngjarjen misterioze.

Pas dy ditëve prani të strukturës së posaçme të ushtrisë në ambientet e hotelit në Qerret të Kavajës dyshimet kryesore të grupit hetimor janë se mbi turistët rusë mund të jenë përdorur agjentë kimikë ose biologjikë.

Kjo për arsye se pistat e tjera janë rrëzuar pas kryerjes së ekspertimeve të ujit apo dhe masës së dioksidit të karbonit të lëshuar nga pajimet e hotelit.
Katër anëtarët e familjes Burenkov para se të mbërrinin në hotel kishin vizituar Ohrin.

Sipas dëshmive edhe të punonjësve të hotelit, ata kishin marrë një makinë me qira, ndërsa lëviznin herë pas here.

Ata u gjetën pa shenja jete nga recepsionistja e hotelit, ndërsa analiza paraprake e mjekësisë ligjore ka nxjerrë se shkak i vdekjes ka qenë asfiksia.