Lajme

Vazhdon “përplasja” Isa Mustafa – Faton Peci, reagon sërish ministri i MBPZHR-së

11/16/2021 23:43
nga:M K

Vazhdon edhe më tutje “përplasja” në versionin “online” mes ministrit të MBPZHR-së, Faton Peci dhe ish-kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

E gjitha filloi me një deklaratë të Mustafës, ku tha se pas emërimit të ministrit të ri të shëndetësisë, VV tradhtoi Listën GUXO, teksa hodhi kritika ndaj kësaj të fundit, përcjell GazetaBlic.

Tani ka reaguar sërish Faton Peci, duke e etiketuar si “kuisling” Mustafën, etiketë të cilën duket se e ka përdorur vet Mustafa për ta kritikuar Pecin.

Më poshtë edhe postimin e plotë.

Diçka për kuislingët dhe kalamajt
Termi “kuisling” është botërisht i pranuar si sinonim për njerëzit apo qeveritë që i shërbejnë pushtuesit, bazuar në historinë e kryeministrit norvegjez Vidkun Quisling në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Në historinë më të re të Kosovës, të tillë e kemi njohur “Qeverinë” e Kosovës të instaluar nga pushtuesi serb pas suprimimit të dhunshëm të autonomisë së Kosovës në marsin e vitit 1989.
Thuhet se të rinjve nuk i falet të mos jenë idealistë. Atyre që as në rininë e tyre, nuk ia kanë kultivuar idealin si virtyt dhe qëllim jetësor, të tjerët që politikën nuk e mendojnë si përfitim e përvetësim mund t’i duken “kalamaj”.
Gjendja më e rëndë shëndetësore te pacientët është kur mendojnë se janë mirë dhe se të tjerët kanë nevojë për ndihmë shëndetësore. E një nga shenjat e matufosjes është kur fillojnë t’i ngatërrojnë emrat apo epitetin me të cilin janë njohur botërisht ia vëjnë tjetrit, si puna e epitetit “kuisling”.

/GazetaBlic/