Me gjithë kërkesën e përfaqësuesve të institucioneve, as sot nuk do të fillojë viti i ri shkollor si pasojë e grevës, e cila ka filluar që nga 25 gushti. Përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit kanë deklaruar se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë.
Ndërkaq dje, kryetari SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtorë vizituan shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, ku diskutuan me mësimdhënësit lidhur me grevën, ndërsa pas përfundimit të takimit u krijua një situatë e tensionuar në ambientet e shkollës, pasi një person tentoi ta sulmojë Jasharajn. Me rastin po merret Policia e Kosovës.
Ishte në përfundim të takimit me mësimdhënësit grevistë në shkollën të mesme të ulët, Ismaji Qemali në kryeqytet, kur kreun e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, u tentua të sulmohej nga një person i cili u deklarua të jetë gjysh i një nxënëseje.
Drejtoresha e kësaj shkolle Mimoza Veseli, e ka quajtur normale reagimin e gjyshit të nxënëses.
“Normal që janë të nervozuar, janë të revoltuar prindërit e moshum dhe janë gjyshërit të cilat i kanë kërkesat e tyre, mirëpo ne po mundohemi me i kuptuar në mënyrën qysh ne i kuptojmë”
Ndërkaq, Naim Bytyqi kreu i shoqatës sindikale të kësaj shkolle, thotë se sulmi ndaj kreut të SBASHK-ut ishte i orkestruar nga prindërit.
“Sepse diçka të tillë nuk patëm deri më sot, prindërit i kemi njoftuar në mënyra tona të përditshme që i njoftojmë nëpërmjet grupit të shkollës, në kontakt me kujdestarët e klasave dhe me mësuesit dhe janë të njoftuar nga shtypi dhe televizionet që greva vazhdon, pasi që nuk u arrit një marrëveshje e dëshirueshme edhe për neve mësimdhënësit që mësimi të filloj me 5 shtator, sot”, tha Bytyqi.
Një gjysh tjetër i cili kishte sjellë nipin e tij në shkollë, për të kuptuar për së afërmi për procesin mësimor, shprehu pakënaqësinë për mënyrën e mbajtjes së grevës.
“Edhe unë kam qenë mësues i matematikës, 43 vjet kam punuar në arsim, veç unë për veti nuk kisha pranu kështu me i lënë nxënësit në shtëpi , e unë (mësuesit) me ndejt në sallë gjithë ditën aty. Kjo më duket e pa kuptimtë. Unë të pa drejt e vlerësoj grevën, këto kushte janë. Ne p.sh. në vitet e 80-ta kemi punuar pa pare hiç, edhe policia serbe ka ndejt aty dhe ne e kemi mbajt mësimin. Pse mos me mbajt mësimin tash. Ka mënyra tjera p.sh.me majt mësimin e me dal në protesta para Qeverisë me shkuar e me kërkuar, ashtu ka qenë me e drejt sesa me ndërpre mësimin”, tha Ymer Ymeri, veteran i arsimit.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet për tentim sulmin ndaj kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj. Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës Laureta Ulaj, ka deklaruar se me urdhër të prokurorit, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Kanosje”, si dhe është autorizuar policia për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje.


