Sporti

Vavalis: E rëndësishme fitorja, por duhet të kishim krijuar më shumë

10/22/2023 16:09
nga:E K

Drita ka arritur ta mposht Llapin në udhëtim në ndeshjen e zhvilluar në kuadër të xhiros së 10-të në Superligën e Kosovës në Futboll.

Skuadra nga Gjilani triumfoi me rezultat minimal 0:1.

Trajneri i Dritës, Akis Vavalis pas ndeshjes ka thënë se skuadra e tij duhej të kishte krijuar më shumë.

“Fitore shumë e rëndësishme. Për mua secila fitore është e rëndësishme. Ndaj Llapit, në derbi, është fitore edhe më e rëndësishme. Në këtë moment më e rëndësishmja është që fituam tri pikë dhe që vazhduam serinë pozitive. Është dashur të krijojmë më shumë. Por as nuk jemi rrezikuar shumë. E rëndësishme ishte që të mos pësojmë, pasi e kemi ditur se kemi kualitetin për të shënuar gol”, tha ai.

Almir Ajzeraj ishte heroi Dritës, pasi shënoi në minutën e 81-të.

Drita renditet në vendin e dytë me 21 pikë, derisa Llapi është i treti.