Lajme

Varianti ‘Delta’ në Kosovë: Infektologu Ahmeti tregon rrezikshmërinë e situatës

07/06/2021 10:26
nga:Q R

Dy raste me variantin Delta të koronavirusit, janë identifikuar ditë më parë edhe në Kosovë. Ndonëse Ministria e Shëndetësisë njoftoi se të njëjtit tashmë janë shëruar, infektologët po thonë se ka mundësi që ky variant të jetë ende prezent në vend.

Infektologu kosovar Sali Ahmeti, ka sqaruar se ky variant përhapet më lehtë dhe bëhet i rrezikshëm me aftësinë për të infektuar dhe dëmtuar rëndë më të dobëtit.

“Me virusin ‘Delta’ janë konfirmuar dy rastet e para, duke marrë parasysh që jemi vend mjaft i hapur edhe me vendet që është i pranishëm, ekziston mundësia që ai të jetë i pranishëm edhe në vendin tonë. Përhapet lehtë në raport me virusin origjinal, prek edhe mosha më të reja, sidomos moshën 40-50 vjeçare. Për shkak të mundësisë së përhapjes mund të përcjellët në forma më të rënda që përcjellët me hospitalizim”, tha Ahmeti për Periskopin.

Infektologu Ahmeti ka shpjeguar se trajtimi mjekësor i llojit ‘Delta’ është i ngjashëm me atë të virusit origjinal.

“Në aspektin klinik nuk parqet ndonjë ndryshim me virusin origjinal, dhe protokolli i trajtimit është i ngjashëm sikurse me virusin bazik”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka sqaruar tutje se vaksina kundër Covid- 19 është efektive edhe për këtë variant të virusit, derisa ka inkurajuar qytetarët mbi moshën 18 vjeçare që të vaksinohen

“Vaksina është efektive edhe ndaj këtij virusi, mbetet që të mos të kemi shqetësime që të vaksinohemi sa ma shumë, pra të gjithë personat mbi moshën 18 vjeç”, thotë infektologu.

Osmani: Thaçin askush s’duhet ta quajë “zagar të amerikanëve”, ai ka qenë kryeministër dhe kryetar në kohëra historike