Lajme

Varhelyi për Samitin në Tiranë: Patëm marrëveshje për katër fusha

02/29/2024 15:55
nga:N K

Në kuadër të samitit të Ballkanit Perëndimor me BE-në për Planin e ri të Rritjes sot në Tiranë, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja për katër fusha.

Varhelyi në konferencën për media me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, theksoi se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të marrin 6 miliardë euro ndihmë, por për t’i tërhequr këto fonde shtesë në formën e granteve dhe huave ka disa kushte që duhen plotësuar nga vendet e rajonit.

Ai ka bërë të ditur detajet e marrëveshjes, e që kanë të bëjnë me rishikimin e kostove të transaksioneve, heqja e kohës së pritjes në pikat kufitare, puna kërkimore shkencore dhe rrjeti falas i internetit në hapësirat publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Mendoj që sot kemi pasur marrëveshje për katër fusha ku duhet të ketë rezultate për këtë vit. E para ka të bëjë me një rishikim tërësor i të gjitha aspekteve rregullatorë në vendet tona. Vendet po përgatiten për këtë gjë dhe nuk duhet të jetë shumë e vështire sepse sistemi bankar ka në vetvete Banka Evropiane që do të thotë duhet të aplikojnë të njëjtat rregulla në vendet e tyre të origjinë. Por sfida është që sa më shpejt mund të arrijmë ne që këto rregulla të bëhen në teren. E dyta ka pasur një korsi të gjelbra, me korsi të gjelbra e kemi fjalën të heqim të gjithë kohët e pritjes në pika kufitare, që do të thotë do të rregullohen procedurat doganore në mënyrë që të përshpejtohen kalimet në kufi në gjithë rajonin. Kjo është një gjë që duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe në këtë formë do të ulë kostot e bizneseve të ndryshme ne vendet e rajonit. E treta fushë, ka të bëjë me punën kërkimore shkencore që do të thotë që të sjellim brezin tjetër të industrive të ndryshme në rajon, do të thotë që novacioni, hulumtimi dhe kërkimi shkencor, industritë e ndryshme do të kenë nevojë për atë që do quhej një qendër ku të jenë këto industri. Rrjetin falas të internetit në hapësirat publike në të gjitha Ballkanin perëndimor që të gjithë të kenë mundësi që të hyjnë në internet dhe këtë mund të shikojmë si pjesë të planit të investimeve ekonomike”, tha Varhelyi.

Po ashtu, Varhelyi tha se është diskutuar edhe për vitin e ardhshëm se çka do të ndryshojë, cilat janë pengesat për ekonominë dhe qytetarët. Ai tha se të gjitha këto do të realizohen për 12 muajt e ardhshëm.

“Gjëja tjetër është se çfarë do të bëjmë vitin e ardhshëm ne po presim që vet rajoni të sjell ide , çfarë duan vendet e rajonit që të ndodhë vitin e ardhshëm ku janë pengesat për ekonomitë, për qytetarët dhe çfarë gjëra tjera do të arrijmë vitin e ardhshëm në atë 12 mujor që të tregojmë, përveç 30 miliardë eurove kemi edhe gjashtë miliardë euro, dy miliardë euro në grande dhe pjesa tjetër me hua… Këto financime shtesë do të përcaktohen dhe do të jenë për të gjitha përpjekjet që duhet për reformat për të sjellë vendet tuaja në anëtarësim në BE”, tha Varhelyi.