Debat

Varfërinë në Kosovë e “instaluan dhe e promovuan” politikat e gabuara të para dhe të pasluftës, që u korruptuan e kriminalizuan deri në palcë!

04/14/2022 10:29
nga:Fadil MALOKU

1. Ideja e qeverisē Kurti, për dhënien e 100€ për shtresat e gjêra qytetare, me qëllim të zbutjes sado pak të krizës aktuale që i ka kaplua jo vetëm buxhetet familjare kosovare, po edhe ato globale, dosido duhet parë edhe si një përkujdesje sociale. Por, a ështē kështu dhe ku e ka burimin e gjithē kjo papunësi qē po “prodhon” si varfëri ashtu edhe pasiguri totale kombëtare? Çka është pra varfëria, dhe si mund të përkufizohet ajo sociologjikisht? Do thënë që varfëria në kuptimin më të thjeshtë dhe më të logjikshëm sociologjik, nënkupton aso gjendje apo asi lloj statusi të njerëzve të cilëve u mungojnë mjetet elementare të reproduktimit të thjesht biologjik e social, që gjenden në vazhdimësi në buzë të ekzistencës fizike.

Sot, çështja e përkufizimit të kësaj problematike është në një mënyrë edhe një lloj “adrese”valide për t’a kuptuar shkallën dhe statusin e shtresave sociale të një shoqërie bashkëkohore. Sociologët, duke qenë “mjek” të këtyre fenomeneve dhe dukurive, varfërinë përpiqen ta identifikojnë më tepër si pjesë të shoqërive margjinale, e unë do shtoja edhe shoqërive që gjenden në procesin e transicionit. Po përse vendeve të tranzicionit, shtrohet pyetja? Arsyeja e parë ka të bëjë me çështjen kuptimit të varfërisë si mjet mbijetese i shtresave dhe grupeve të ndryshme margjinale që secila shoqëri i ka në ambientet e veta, pa marrë parasysh shkallën e zhvillimit dhe emancipimit social, kulturor e ekonomik.

Arsyeja e dytë, ka të bëjë kryesisht me peshën e shtresëzimit të kategorive shoqërore, proces ky që është i natyrës së përkohshme edhe për faktin se këto kategori gjithnjë atakohen nga: a) mënyra e rehabilitimit të statuseve ekonomike dhe shtresëzimit social që vjen shkaku i procesit tranzitiv në të cilin gjenden ato; b) procesit të seleksionimit social (kjo vlen sidomos për vendet postkomuniste që nuk kishin përvojë të segregacionit ekonomik prej nga prodhohen klasat që thënë me gjuhën marksiste e identifikojnë formacionin kapitalist). Por, cilët parametra sociologjikë e identifikojnë varfërinë e ditëve të sotme? Shumica e sociologëve janë të pajtimit se ekzistojnë dy parametra apo dy tregues kryesor, përmes të cilëve mund të identifikohet niveli i varfërisë së një vendi. Njëri që ka të bëjë me varfërinë absolute (apo thënë më thjeshtë shkallën e rrezikshmërisë së skajshme që identifikohet edhe me vetë mbijetesën) dhe tjetri me varfërinë relative. Varfëria absolute në diskursin bashkëkohor sociologjik nënkupton pamundësinë e posedimit të mjeteve elementare ekzistenciale, pra atyre fizike, siç janë: ushqimi i mjaftueshëm, strehimi (që nënkupton ujë të pijshëm dhe kulm mbi kokë…), shërbimet cilësore shëndetësore, si edhe një shkollim elementar. Standarde këto që sukcesivisht do të duhej të vlejnë për të gjitha kategoritë dhe të gjitha vendet pa dallim etnie, race, statusi social etj. Kurse, varfëria relative nënkupton perceptimin e dallimeve midis dy grupeve kryesore për nga cilësia dhe kushtet e jetës. Pra, kushte që pak a shumë ofrojnë mundësinë e mbijetimit ekonomik, por jo edhe të ndonjë standardi premtues për të ardhmen. Meqë kriteri i pranueshëm për të identifikuar shkallën e varfërisë në kushtet dhe rrethanat e procesit të globalizimit ngandonjëherë diskursin mbi definimin e konceptit të varfërisë e relativizon deri në masën e mbijetimit, atëherë duhet pranuar që edhe të kuptuarit e kësaj dukurie varet shumë nga faktorët tjerë (të shumtë) social që ndikojnë në perceptimin tonë për të. P.sh. perceptimi ynë kosovar mbi këtë dukuri kërkon mekanizma dhe detyrimisht edhe kritere tjera që në fakt kuptimin e varfërisë e reduktojnë deri në varfëri të cilësuar si të skajshme që për demografinë dhe gjeografinë tonë është e natyrshme dhe normale. Ndërkaq, për një shoqëri tipike evropiane perëndimore, përkufizimi apo cilësimi kësisoj mund të kuptohet ngandonjëherë edhe si diçka alarmuese në sensin e përkujdesjes dhe masave preventive që atje marrin institucionet e tyre shtetërore dhe civile. E themi kështu edhe për shkak se dukuria që p.sh. në një shoqëri normale perëndimore trajtohet si varfëri, tek ne në Kosovë apo në cilin do vend që ka një buxhet nacional mbijetues, trajtohet si një luks i llojit të vetë! Thënë më thjesht, çështja e përkufizimit merret si diçka e pa përfunduare dhe për shkakun se përkujdesja që ushtrohet ndajë kategorive të rrezikuara sociale në një shoqëri bashkëkohore, konsistohet si një lloj obligimi institucional. Por, duke marr parasysh kriterin e statusit social, si edhe prestigjin (që është i domosdoshëm kur bëhen matjet e kësaj natyre) në shoqëri që e gëzojnë kategoritë e ndryshme sociale, atëherë pa mëdyshje edhe çështja e përkufizimit se çka nënkuptojmë me konceptin varfëri, normalisht relativizohet.

2. Në vendet perëndimore sot, pak a shumë ekziston një përkufizim i shkallës së statusit social që identifikohet me nivelin e varfërisë. Për dallim nga SHBA-të (që kanë kritere strikte në të gjitha nivelet për këtë çështje), shtetet dhe vendet tjera demokratike kanë një përkufizim zyrtar – ta quajmë kështu – të asaj se çka në të vërtetë cilësohet varfëri e shkallës së lartë dhe asaj të ultë. Anglia p.sh. nuk ka në sirtarët e saj shtetëror ndonjë dokument të përkufizimit dhe cilësimit të varfërisë, ngase ekspertet britanikë përdorin tregues dhe parametra tjerë të cilët më shumë u ngjasojnë ndihmës sociale që kategoritë e rrezikuara marrin nga shteti në formë të benificioneve të ndryshme (se sa ofertës reale që ofron atje shteti). Kush është i varfër në Kosovë? Në kushtet dhe rrethanat kur nuk kemi eksplorime meritore shkencore, pra ku shteti që me institucionet dhe projektet e veta do të duhej të paktën në vija të trasha të merrej me analiza të thukëta lidhur me procesin e stratifikimit social, është e pamundur të japim ndonjë diagnostikim të saktë se çka nënkuptojmë me varfëri, pastaj ku janë limitet e varfërisë sonë sociale, cilët faktorë e determinojnë shkallën e kësaj varfërie, apo cilat kritere duhet të konsiderohen të vlefshme për të cilësuar dikën se është i varfër apo jo. Por, duke u nisur nga disa parametra dhe tregues logjikë, kujtoj që ndjekja e rrugës së statistikave, pra posedimit me numra të pasurisë së qytetarëve të Kosovës që fare s’i kemi askund, më duhet të shërbehem me analizën e përmbajtjes (një metodë që deri-diku premton identifikimin, por jo edhe përkufizimin e konceptit të varfërisë) e cila nivelin e varfërisë nacionale e identifikon si diçka që akoma është në trend të thellimit të diferencave sociale midis popullsisë. Nëse i adresohemi kësaj metodologjie, kuptojmë që Kosova ka trashëguar (gjithnjë në nivel nacional) një varfëri të shkallës së lartë, që kur të përkthehet në numra na del: Kosova ishte shtatë herë më e pazhvilluar se sa Sllovenia; gjashtë herë se sa Kroacia; pesë herë se sa Serbia… pra, një trashëgimi të lartë nacional të varfërisë. Kësaj varfërie të trashëguar, kur t’i shtojmë edhe treguesit tjerë të luftës së ndodhur (që askush nuk i di?!), na del se jemi një vend tipik me një varfëri sui generis (ashtu siç e kemi edhe shtetin dhe të gjitha tjerat?!) në sferën ekonomike e sociale. Së bashku me procesin e privatizimit të ndodhur dhe me migrimet e një pjese të popullsisë nga pjesët rurale në ato urbane. , atëherë veç mund të imagjinojmë shkallën e varfërisë(!) dhe rrezikun nga ndonjë eksplodim social që mund të ndodhë në çdo kohë.Kush është i pasur në Kosovë?Thënë më shkurtë, në Kosovë është duke ndodhur një fenomen i çuditshëm që aparatura shkencore sociologjike e ka vështirë ta fus në dioptrinë e vetë. Kjo ndodhë për shumë arsye. Kryesori unë mendojë që ka të bëjë pak a shumë me mungesën e një përvoje në ndërtimin e kapaciteteve dhe resurseve institucionale demokratike, e me këtë edhe fuqizimin e logjikës së një akumulimi fillestar të natyrshëm të kapitalit, që do të prodhonte pa dhimbje të mëdha dallimet sociale përmes një konkurrence lokale të atyre që në të kaluarën kishin trashëguar apo kishin arritur të akumulonin bile kapital fillestar për të hyrë në konkurrencë të brendshme, e pse jo edhe të jashtme. Absurdi i kapitalizmit kosovar qëndron te diferencimi i shtresave që ka filluar jo si pasojë e konkurrencës së këtij kapitali – pra një logjike të shëndosh ashtu siç ka ndodhë gjithkund në demokracitë e avancuara – po si pasojë e shfrytëzimit të privilegjeve që ofron pushteti. Kështu, ju sot mund të identifikoni njerëz apo elita të tëra pushtetarësh që deri dje s’kanë pas në pronësi të tyre as një biçikletë te vetme(!?), kurse sot kanë pallate, pasuri të patundshme marramendëse, para në konto që as vetë nuk e dinë se sa, si edhe janë të mbrojtur me ligjet që grupet e ndryshme interesi i kanë fuqizuar në parlamentin e Kosovës?! Për të qenë absurdi edhe më i madh, diferenca sociale është gjithnjë duke u ashpërsuar dhe kujtoj që nuk do të jetë ndonjë befasi rebelimi i shtresës së rrezikuar sociale…

3. Kush janë gjeneratorët e varfërisë në Kosovë? Sot mund të thuhet se ekzistojnë midis tjerash dy teori apo dy botëkuptime mbi agjentët që e prodhojnë nivelin e varfërisë sociale tek ne në Kosovë. Njëra, e cila statusin e të qenit i varfër (në kuptimin ekonomik) e adreson tek shtresa apo kategoria sociale e cila me indiferencën e vetë ndaj proceseve dhe zhvillimeve sociale – pra, duke bërë sehir dhe duke u vetëkënaqur me gjendjen dhe statusin e vetë shoqëror – ua mundëson shtresës pushtetarëve të ushtrojë përveç sundimit dhe menaxhimit me nivelin e mirëqenies sociale përmes aparatit të shtetit (në vend që kjo të ndodhte përmes kapitalit dhe konkurrencës së tregut, shihe ti absurdin?!) edhe shfrytëzimin e saj përmes mekanizmave “demokratik”?!Thënë edhe më troç(!), varfëria në Kosovë nuk është produkt i të varfërve, por i shtetit (lexo menaxhimit të dobët të elitave politike) që me çdo kusht (në vend që të krijoj ligje e kushte për vende të reja të punes) për dy dekada të tëra ushtroj presion psikologjik e financiar vetëm e vetëm për të ruajtur privilegjet dhe për t’u pasuruar në mënyrë të pandershme. Dhe, teoria tjetër (për mendimin tim) shpjeguese, na adreson gjithashtu sërish kah shtresa elite e pushtetarëve tanë, në sytë e të cilëve përzgjedhja e statusit social e shtresave të varfra (tek na thuhet popullit, e unë them qytetarëve) është pasojë e: dobësive morale e fizike, pastaj vetëkënaqësisë së trashëguar për të mos u pasuruar, mungesës së talentit dhe aftësive “intelektuale” e “menaxheriale”, si edhe motivimit të pamjaftueshëm për të ndryshuar statusin e vet social. Në këte kontekst, arsyet dhe shkaqet e “promovimit dhe instalimit” të varfërisë enorme kosovare nuk duhet gjurmuar veç te qytetaria që shumē më lehtë i duron padrejtësitë dhe pabarazitë e imponuara sociale se sa ato politike, por, edhe te politikat e gabuara qeveritare, që u korruptuan e krimnalizuan deri në palcë…