Euro2024

Varane suprizon me skuadrën e re, drejt transferimit në Serie A

06/29/2024 12:08
nga:Mergim Rreci

Francë, Spanjë, Angli dhe tashmë Itali. Serie A pritet të jetë e ardhmja e Raphaël Varane, mbrojtësit të njohur francez. I cili ka dalë lojtar i lirë pas përfundimit të aventurës me Manchester United.

31-vjeçari është shumë afër arritjes së bashkëpunimit me Comon, klubin që u rikthye në elitën e futbollit italian pas 21 vitesh.

Varane ka zbarkuar në qytet dhe po bisedon me drejtuesit e klubit të Serie A, teksa do të takohet edhe me Cesc Fabregas, teknikun e skuadrës.

Fakti që ndodhet pa kontratë e lehtëson transferimin e tij te Como. Në klub janë optimistë për gjetjen e marrëveshjes finale, teksa edhe lojtari preferon një aventurë në Itali.

Varane ka fituar Kupën e Botës (2018) me kombëtaren e Francës, fanellën e së cilës e ka veshur 93 herë.

Ndërkohë që te Reali i Madridit, klubin ku kaloi vitet më të bukura të karrierës, fitoi 18 trofe gjatë 10 sezoneve në “Santiago Bernabeu”.

Varane festoi edhe me Manchester United, skuadër me të cilën arriti të siguronte FA Cup në edicionin që u mbyll dhe EFL Cup në 2023.