Lajme

Vaqari: KOMF ka kërkuar më parë ashpërsimin e dënimeve ndaj dhunuesve të fëmijëve

08/30/2022 18:37
nga:G B

Klevis Vaqari, menaxhere e programit në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), ka thënë se kanë kërkuar ashpërsim të dënimeve ndaj dhunuesve të fëmijëve.

“Prej disa vitesh kemi qenë pjesë e iniciativave të ndryshme, si në atë për ndryshim të kodit penal për ashpërsimin e dënimeve për kryerësit e veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve. Po ashtu kemi kërkuar që personat që dënohen për vepra të tilla, të mos u lejohet të kenë më kontakt me fëmijët, p.sh. nëse rasti ndodh në shkollë, ai person nuk mund të punësohet në të ardhmen asnjëherë në shkollë, ose në vende ku ka kontakt me fëmijët”, ka thënë Vaqari.

Ndërkaq, shtoi se qysh prej vitit 2016 kanë kërkuar që të krijohet një databazë publike me emrat e dhunuesve të fëmijëve.

“Prej 2016, kemi kërkuar të krijohet një databazë nacionale, ku do të regjistrohen të gjithë kryerësit e veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve… Kemi kërkuar që të jetë edhe publike”, ka shtuar ajo.