Ish-sulmuesi i njohur holandez ishte opinionist për një televizion në vendin e tij. “Do të jetë pa dyshim një periudhë shumë e vështirë”.
U martuan në vitin 1993, në një kështjellë në Utrecht, kur ai ishte me paterica pas ndërhyrjes kirurgjikale që kishte kryer në kavilje. Liesbeth ka qenë pranë Marco Van Basten gjatë gjithë kalvarit të dëmtimeve dhe tani ish-futbollisti i famshëm ka vendosur të ndërpresë punën si opinionist për një televizion holandez për të ndihmuar bashkëshorten.
Çifti ka tre fëmijë, ndërsa Liesbeth është e sëmurë rëndë dhe muajt e ardhshëm duhet të bëjë një trajtim intensiv.
“Dua t’i dedikohem tërësisht rikuperimit të Liesbeth muajt e ardhshëm. Do të jetë një periudhë e vështirë, por kemi besim të madh se në fund gjithçka do të shkojë mirë”, – ka shpjeguar Van Basten në një komunikatë të shpërndarë nga “Ziggo Sport”.
“Jemi shumë të tronditur. U gjendemi pranë Liesbeth, Marco dhe familjes së tyre. Urojmë të gjejnë forca për periudhën që vjen”, – u shpreh drejtori i televizionit holandez, Marcel Beerthuizen. Në rrjetet spociale ka pasur reagime, sidomos nga tifozët e Milanit, që inkurajojnë ish-futbollistin e madh.


