Presidenti i Dritës, Valon Murseli, ka shprehur krenarinë dhe emocionet pas fitimit të titullit të dytë radhazi në Superligën e Kosovës, duke e cilësuar këtë sukses si të veçantë për shkak të rekordit të arritur nga klubi gjilanas.
“Realisht, të dy titujt kanë shijuar shumë, por ky i dyti radhazi ka qenë më i veçantë për faktin se është shënuar edhe një rekord i klubit, për të cilin ndihem krenar”, deklaroi Murseli.
I pari i klubit bardhekaltër vlerësoi lart sakrificën e futbollistëve dhe punën e stafit drejtues gjatë gjithë sezonit, duke theksuar se rrugëtimi drejt titullit nuk ka qenë aspak i lehtë.
“Pa diskutim që ka qenë një rrugëtim i vështirë për djemtë dhe për këtë jam mirënjohës ndaj gjithë ekipit për punën dhe sakrificën. Mungesat e shumta na kanë penalizuar, por është dëshmuar puna e mirë e kryesisë dhe stafit, të cilët kanë arritur ta menaxhojnë situatën mjaft mirë dhe ta arrijnë qëllimin”, shtoi ai.
Murseli foli edhe për synimet e klubit në garat europiane, duke theksuar se Drita synon rritje graduale dhe pa presion të tepruar.
“Qëllimi ynë është që nga viti në vit të rritemi në garat europiane. Synim e kemi, por nuk do të kemi presion me çdo kusht, sepse e dimë që ndeshjet në Europë nuk janë të lehta dhe duhet të jemi realistë. Përsëritja e suksesit të vitit të kaluar do të ishte e mirëseardhur, por do të tentojmë më shumë, me qetësi dhe hap pas hapi”, u shpreh presidenti i kampionëve.
Në fund, ai theksoi se klubi do të vazhdojë të punojë për të ngritur nivelin nga sezoni në sezon.
“Ky ka qenë objektivi ynë dhe jemi krenarë që me një ekip të mirë kemi arritur një ndryshim të madh. Futbolli është interesant sepse nga viti në vit kërkon edhe më shumë dhe ne do të vazhdojmë të japim maksimumin sa herë që na jepet mundësia”, përfundoi Murseli.
FC Drita të shtunën fitoi ndaj Ballkanit 2-0 dhe u shpall kampion i Kosovës për herë të pestë në historinë e klubit.
/GazetaBlic Sport


