Lajme

Valencia: Parkimi 5700 vendësh i qendrës tregtare mund të jetë kthyer në “varrezë masive”

11/02/2024 20:28
nga:Y I

Frika se një parkim nëntokësor në një qendër tregtare në Valencia mund të jetë kthyer në një “varr masiv” pas përmbytjeve, ka mbërthyer autoritetet spanjolle.

Pamjet e hyrjes së përmbytur të parkimit nëntokësor të makinave në qendrën tregtare “Bonaire” në Aldaia, pranë Valencias, kanë ngjallur frikën se zjarrfikësit do të gjejnë një numër të lartë njerëzish të vdekur brenda automjeteve kur të nxjerrin ujin.

Shkallët lëvizëse të qendrës “Bonaire” që të çojnë në parkimin 5700 vendësh të makinave janë kthyer në një kosh masiv me mbeturina të sjella nga rrjedha e ujit dhe ajo që dikur ishin dyqane dhe restorante tani është vetëm baltë dhe ujë i ndenjur.

Punëtorët në qendër janë parë më parë duke përdorur aparate zjarri për t’i shpëtuar dëshpërimisht dyqaneve të katit përdhes pasi u bllokuan nga uji që u arriti deri në bel. Grabitësit sakaq përfituan nga përmbytjet të martën për të plaçkitur dyqanet atje.

Në të gjithë vendin janë arrestuar 64 persona për plaçkitje, me pesë burra të akuzuar për grabitjen e një dyqani bizhuterish të përmbytur, raporton El Pais.

Numri i njerëzve që mbetën të vdekur nga përmbytjet shkatërruese në rajonin pranë detit Balearik është rritur nga 207 në 211 – dhe pritet të rritet shumë më tepër pasi 2000 njerëz rezultojnë ende të zhdukur.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi të shtunën se 5,000 ushtarë do të vendosen në terren, duke çuar në 7 mijë trupa në total të angazhuar në operacione shpëtimi dhe pastrimi në rajonin e Valencias.

5000 policë do të vendosen gjithashtu në zonat e goditura nga përmbytjet, si dhe një anije e marinës spanjolle për të akomoduar helikopterët.

“Po flasim për dislokimin më të madh të forcave të sigurisë shtetërore dhe trupave të forcave të armatosura që është bërë ndonjëherë në vendin tonë në kohë paqeje”, tha Sanchez teksa iu drejtua popullit me një videomesazh.