Sporti

Valdet Rama: Jam krenar me Kombëtaren e Shqipërisë, besoj që do ta mposhtim Çekinë

10/11/2023 19:52
nga:Mergim Rreci

Mbrëmjen e së enjtes, “legjionarët” e Kombëtares së Shqipërisë do të presin në mitikun “Air Albania”, përfaqëuesen e Çekisë.

Kjo është një përballje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, sfidë e cila pritet të jetë vendimtare në lidhje me kualifikimin e “shqiponjave” në fazën e grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm për ekipet kombëtare në Evropë.

Ish futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Valdet Rama ka komentuar për ‘GazetaBlic Sport’ këtë sfidë shumë të rëndësishme, duke u shprehur optimist se Shqipëria do ta fitojë ndeshjen.

“Një ndeshje speciale dhe unë besoj që do ta fitojmë ndeshjen pasi jemi me një formë shumë të mirë. Mendoj se Shqipëria është pozicionuar shumë mirë në sulm për momentin. Ne krijojmë shanse dhe shënojmë gola dhe kjo më bën krenar. Nuk do të nxirrja askënd tani. Secili ka dhe sjell cilësitë e veta. Mendoj se loja nuk ka nevojë për shumë motivim, thjesht do t’i lija lojtarët të vazhdojnë si më parë dhe ta shijojnë atë. Uroj një paraqitje sa më të mirë dhe me 3 pikë për ne“, tha Rama për ‘GazetaBlic Sport.

Sfida në “Air Albania” fillon në ora 20:45 dhe pritet të zhvillohet nën një atmosferë të ‘zjarrtë’.

/GazetaBlic Sport/