Sporti

Vajzat e Vllaznisë mposhten thellë nga Real Madridi, por goli i Doçit ishte kryevepër

12/23/2022 08:12
nga:E K

Vllaznia e femrave përmbylli rrugëtimin historik në Champions League. Pavarësisht humbjes në Alfredo di Stefano me rezultatin 5-1 ndaj Real Madridit, skuadra kuqeblu arriti të shënonte golin e parë në fazën e grupeve, me Megi Docin që realizoi një gol fantastik nga goditja e dënimit.

Festa dhe avantazhi zgjati pak për ekipin shkodran, me ‘Los Blancos’ që nxorrën në pah diferencat dhe e mbyllën fraksionin e parë 3-1, falë Weir dhe dopietës së Abelleiros.

Pjesa e dytë nuk pati më shumë histori, me madrilenet që shënuan dhe dy herë të tjera me Camachon dhe Partidon, për të fiksuar shifrat përfundimtare në 5-1.

Gjithsesi, fitorja vlen sa për statistikë për Real Madridin që nuk arriti të kalojë fazën e grupeve, teksa Chelsea dhe PSG patën siguruar kualifikimin më herët.

Vllaznia del me kokën lart nga edicioni i Champions League, si skuadra e parë shqiptare që merr pjesë në një kompeticion të këtij niveli.