Lajme

Vajza e Navalny i bashkohet ekipit zgjedhor të Kamala Harris

10/16/2024 15:48
nga:Y I

Daria Navalny 23 vjeç, vajza e liderit të ndjerë të opozitës ruse, Alexei Navalny iu bashkua ekipit zgjedhor të zëvendëspresidentes amerikane Kamala Harris në shtetin e Pensilvanisë, raporton The Times.

Dasha, siç quhet ajo, u diplomua në Universitetin Stanford në Kaliforni në qershor, katër muaj pas vdekjes së babait të saj në një burg rus në Arktik. Ajo studioi psikologji sociale dhe shkenca politike që nga viti 2019.

Ajo ka qenë menaxhere e ekipit me kohë të plotë për fushatën e Kamala Harris në Filadelfia që nga gushti, sipas llogarisë së saj në LinkedIn. Ndër detyrat e saj janë mobilizimi i votuesve dhe përhapja e mesazhit në komunitetin lokal. Megjithatë, ajo nuk bëri asnjë deklaratë publike në favor të Harris.

Navalny, i cili konsiderohej kritiku më i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, po vuante një dënim 30-vjeçar në burgun “Polar Ëolf 16” kur vdiq më 16 shkurt të këtij viti. Dokumentet e publikuara nga faqja e opozitës Insajder muajin e kaluar sugjerojnë se ai ishte helmuar.

Menjëherë pas kësaj, presidenti amerikan Joe Biden u takua me Daria dhe nënën e saj, Yulia Navalny, në Shtëpinë e Bardhë për të shprehur ngushëllimet. Ai tha gjithashtu se nuk kishte “asnjë dyshim” se Putin ishte fajtori për vdekjen e Navalny.