Euro2024

Uzuni tregohet i madh, motivon lojtarët e kombëtares para ndeshjes me Spanjës: Së bashku ia dalim, forca çuna

06/23/2024 16:25
nga:Lorik J

Sulmuesi i Kombëtares Myrto Uzuni, i cili u la jashtë grumbullimit për në EURO2024 nga trajneri brazilian Silvinjo, ka vendosur të thyejë heshtjen.

Gjatë kësaj kohe ai nuk kishte reaguar për vendimin e trajnerit Silvinjo, duke shmangur polemikat, duke mos bërë reagime as në media, as në rrjetet sociale.

Sulmuesi i Granadës në La Liga, Uzuni ka kaluar fazën e rikuperimit nga dëmtimi që kishte pësuar që në mars me Kombëtaren.

Sot, ka ardhur postimi i tij i parë i mirëfilltë dhe është një mesazh që i kushtohet pikërisht Kombëtares shqiptare përpara ndeshjes së fundit në grup, asaj të ditës së hënë, përballë iberikëve të Furisë së Kuqe.

“Të gjithë të bashkuar mund t’ia dalim. Forca çuna”, shkruan Uzuni në mesazhin e tij në rrjetin social Instagram në mbështetje të kuqezinjve.

Shqipëria luan nesër ndaj Spanjës ndeshjen ndoshta më të rëndësishme të historisë së saj, të vlefshme për grupin B të EURO2024.