Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, në një deklaratë të lëshuar sot është shprehur e shqetësuar me aksionin e djeshëm që rezultoi me mbylljen e strukturave paralele në dhjetë komuna, mes të cilave edhe disa zyre postare dhe qendra të mirëqenies sociale.
Në deklaratën e UNMIK-ut thuhet se mbyllja e tyre mund të ketë ndikim në jetën e qytetarëve të komunitetit serb, të cilët varen drejtpërdrejt nga këto institucione.
Shefja e UNMIK-ut ka thënë se çështjet e pazgjidhura duhet të diskutohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Ziadeh përsërit thirrjet e saj që çështjet e pazgjidhura të diskutohen në mënyrë konstruktive, në komunikim të hapur dhe në mirëbesim brenda Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ajo u bën thirrje të gjithëve që të punojnë drejt zgjidhjeve të negociuara dhe të qëndrueshme për mirëqenien dhe sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, si e vetmja rrugë e pranueshme përpara”, thuhet në deklaratë.