Bekë Berisha, kandidat për kryetarë të Prishtinës nga AAK, ka reaguar në rrjetin e tij social Facebook, për shpërthimin e gypit të kanalizimit në shkollën “Ismail Qemali”, raporton GazetaBlic.
Ai ka thënë se shkollat kanë pasur muaj të tërë gjatë verës për t’u përgatitur në mënyrë shembullore për ti pritë fëmijët dhe sipas tij kjo situatë nuk duhet të përsëritet.
“Sot, klasat e pesta të shkollës “Ismail Qemali” zhvilluan një orë proteste para objektit të shkollës, të organizuar nga prindërit, si pasojë e dëmtimit të gypit të kanalizimit. Të nderuar, pa pasur nevojë të theksojmë dështimet, ato tashmë janë evidente. Fillimi i vitit të ri shkollor për fëmijët tanë duhet të jetë i veçantë, i mbushur me entuziazëm dhe siguri. Shkollat kanë pasur muaj të tërë gjatë verës për t’u përgatitur në mënyrë shembullore për mikpritjen e nxënësve, prandaj situata të tilla të papritura nuk duhet të ndodhin. Kjo nuk guxon të përsëritet më. Cilësia në arsim fillon nga siguria, duke përfshirë higjienën, ambientet e shëndetshme dhe kujdesin për shëndetin mendor të fëmijëve”, ka shkruar Berisha.


