Sporti

Usyk rrëfen pengun më të madh të karrierës: Kam fituar gjithçka, më mungon vetëm kjo sfidë

5 ditë më parë
nga:Mergim Rreci

Nuk ka asgjë në boks që Oleksandr Usyk nuk e ka fituar.

Ai ishte kampion i padiskutueshëm në peshën “cruiserweight” para se të bënte të njëjtën gjë edhe në peshën e rëndë, duke i fituar të gjitha duelet në karrierën e tij.

Kjo vlen edhe për karrierën e tij amatore, kur ka fituar medaljen e artë olimpike apo të artën në Kampionatin Botëror dhe atë Evropian.

Por ukrainasi ka një ëndërr që ai beson se nuk do të jetë në gjendje ta realizojë kurrë.

Usyk e di se nuk do të arrijë ndonjëherë të luftojë në vendin e tij si kampion bote.

38-vjeçari nuk beson se lufta në Ukrainë do të ketë mbaruar përpara se të tërhiqet nga sporti.

“Tani mendoj se nuk është e mundur”, tha ukrainasi për Sky Sports.

“Rusia lufton me Ukrainën, ka shumë raketa. Unë flas me vajzën time 14 vjeçe. “Hej, si jeni?” “O baba, kjo natë ishte e tmerrshme”. Kështu që, të dueloj si kampion bote para fansave të mi nuk besoj se do të realizohet ndonjëherë”, tha Usyk.