Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka folur për gjendjen e sigurisë në vend pas sulmit terrorist të së dielës së kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ai thotë se situata në veri është për shkak të pengesave politike, pasi s’ka pasur strategji se si të veprohet.
“Situata në veri është pasojë e pengesave politike që s’kanë pasur një strategji se si të trajtohet veriu që nga 99 e tutje, e ku kemi pasur në disa periudha një intensitet të ulët të cenimit të sigurisë në atë pjesë. Siguria në veri që nga shtatori 2021 ka pësuar rënie nga zhvillimet që janë karakterizuar nga grupet kriminale e madje edhe terroriste të shpallura nga institucionet politike me vendim nga puna e sektorit të sigurisë”, shprehet eksperti.
Shala thekson se situata në veri është bërë më e paqartë që pas takimit të 14 shtator.
“Pas dështimit të takimit politik në Bruksel me 14 shtator situata po bëhet më e paqartë në atë se si do duhej t’i qasemi kësaj pjese si rezultat i pengesave të bëra edhe tani nga niveli diplomatik dhe ai i sigurisë (NATO ) për lëvizjen e trupave në atë pjesë pa koordinim, shto këtu tani rikthimin e kontigjentëve ushtarakë nga KFOR që janë në rritje, kjo do të reflektojë më tutje në siguri por edhe të akterët relevantë”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, pas këtyre sulmeve qëndron Vuçiq e Vulin dhe nëse do të përsëriten skenarë të njëjtë është pasi ata duan konflikt.
“Mund të presim veprime të tilla në vijim si pasojë i presionit për normalizim të situatës politike në mes dy vendeve dhe këto sulme janë tregues që Serbia dhe Beogradi i Aleksandër Vuçiqit e Vulinit janë sponsor të tyre destruktive me karakter ushtarak të konfrontimit. Dhe në rast që do të na përsëritet ndonjë skenar në veri që është analogjike me Ukrainën, atëherë ky veprim i Vuçiqit për të hyrë në territor të Kosovës, unë e shoh si veprim tejet rrezik për të ndezur një konfrontim edhe ushtarak në mes palëve nëse hyn në territor të vendit”, shton Drizan Shala.
Ai thotë se duhet parë brenda afatit 30 ditor se si po lëvizin formacionet brenda hirarkisë ushtarake dhe inteligjente të Serbisë, duke shtuar se duhet të jemi vigjilentë, që të mos befasohemi nga veprimet që mund të ndërmerren.
“Do të shihet brenda afatit 30 ditor se si po lëvizin formacionet brenda hirarkisë ushtarake dhe inteligjente të Serbisë për të parë një pasqyrë më të qartë të veprimit apo mosveprimit. Sipas mendimit personal, i bazuar në të dhënat empirike/shkencore të rasteve të tilla në botë, ne do të duhej të jemi vigjilent përgjatë muajve të 2023-ës, për të mos u befasuar nga veprimet e planifikuara që do të ndërmerren”, deklaron eksperti i sigurisë, Drizan Shala./Gazeta Blic/
“Fuçi baruti”,– Gjermania dhe SHBA-ja në koordinim të ngushtë për tensionet mes Kosovës e Serbisë


