Le të vazhdojmë kështu. Le të çlirohemi. Herë në shkurt e herë në dhjetor. Le të përjetojmë pranvera shqiptare e dimra shqiptar. Të ngrohemi me çka të mundemi. Le të mos na pengojë as ajri i ndotur, kur mund të nuhasim aromë lirie. E ardhmja është e jona. Mbase edhe sindikatat.
Shkodran Hoti
Nuk mbaj mend të paktën në dhjetë vitet e fundit të ketë pasur aq numër të madh protestash nga sindikatat kundrejt një qeverie. Ironikisht protestat e tyre po zhvillohen kundër aleatit që dikur kishin, sa ishte në opozitë. Kjo pa dyshim që ishte normale, duke e ditur se tradicionalisht strehë e sindikatave përgjithësisht kanë qenë partitë e majta.
Sindikatat në të kaluarën kanë zënë vend edhe në listat zgjedhore të partisë që tash ka zënë ulëset e pushtetit. Përfaqësuesit e tyre kanë qenë edhe të ftuarit e kësaj partie në takime e tryeza, në kohën kur partia e pushtetit të sotëm synonte pushtetin që tashmë zotëron.
Sot, këto dy palë ulen sërish në tavolinën e përbashkët. Por, jo si dikur. Sot janë përballë përkundër njëra-tjetrës. Sindikatat me kritikat e kërkesat e dikurshme për pushtetin e pushteti i sotëm me sjelljen e pushtetit të dikurshëm. Bashkëpunimi i dikurshëm tashmë është kthyer në një betejë.
Beteja e qeverisë aktuale me sindikatat nisi disi natyrshëm. Them kështu, meqë atë e nisi një ministër i djathtë i një qeverie që pretendon të jetë e majtë. Hekuran Murati lëshoi bombën e parë në formën e deklaratës që konstatonte se s’mund të ketë shtet të kapur pa disa sindikata të kapura.
Sado që përqindja e të vërtetës në këtë deklaratë mund të jetë mjaft e lartë, ai po fliste për sindikatat me të cilat dikur partia e tij kishte bashkëpunuar. Ato janë të njëjtat. Madje edhe drejtuesit i kemi po ata që ishin dikur.
E, pikërisht drejtuesit e tyre, ishin shkas që fronti i përplasjes mes sindikatave dhe pushtetit të zgjerohej. Në fushëbetejë u shfaq vet kryeministri. Ai që dikur fliste si kryesindikalist, tanimë para popullit po trumpetonte nevojën që të ndryshojnë udhëheqësitë e sindikatave. I pari i qeverisë po fliste si një anëtar i BSPK’së. Por, jo pse drejtuesit e sindikatave nuk po e përfaqësonin më. Ai po bënte këtë thirrje si një kryeministër që sindikatat po e kundërshtonin.
Është ky kryeministër që dikur si kryeopozitar ishte zëri i tyre. Dikur larg pushtetit, ai kishte kapur këto sindikata që zëri i tyre të jehonte më shumë. Sot, ai po bën provat e para për t’i kapur ato që ta shterrë zërin e tyre. Sepse sot nuk po mund ta durojë kritikën e tyre, që dikur e kishte artikuluar vet si mjet lufte ndaj kundërshtarëve të tij politik.
Në pamundësi që t’i ketë sindikatat me vete, ai sot po i do sindikatat ndryshe. Tamam si një lider që e do popullin kur ia jep besimin, por kur nuk ia jep, e sheh të udhës ta ndërrojë popullin. Pasi u “çlirua” populli, tash duhet të “çlirohen” sindikatat. Pra, tashmë në ballë të luftës Ushtria për Çlirimin e Sindikatave.
Mbase kjo edhe mund të quhet normale për dikë që edhe në betejat elektorale operon me koncepte të luftës. Për dike që fitorja ose humbja në zgjedhje interpretohen si “çlirim” dhe “robëri”. Për dikë që kundërshtari politik është armik, kurse në foltoren elektorale nuk jep zotime për të bindur mbështetësit që ta përkrahin, por aty flet si një komandant para ushtarëve që t’i motivojë për ndonjë ofensivë të radhës.
Sado që ky është një ogur i keq, është shumë e gjasshme që të normalizohet. Fundja nuk është absurditeti dhe marrëzia e parë që rrënjoset në këtë shoqëri. Po flasim shoqërinë e pazë, e cila qetësisht e përjeton edhe rritjen e çmimeve të produkteve elementare. Një shoqëri që më shumë i ka dert raportet e Donaldit me Trixin sesa dyfishimin e faturës së energjisë elektrike.
Kështu jemi ne. Mbase s’mund të jemi më ndryshe. Kushedi sa qesharakë do të dukeshim po të provonim të silleshim si francezët që mbushin sheshet e rrugët e Parisit me njerëz edhe kur çmmimi i naftës ngritet për 2-3 centë. Pse do të duhej që sjellja jonë të jetë e ngjashme me një shoqëri që ka nxjerrë Jean-Paul Sarte’n? Ne jemi shoqëri që kemi nxjerrë Tomë Gashin. Pak e vëshirë ta mendojmë veten duke folur për ekzistencializmin, kur mund të flasim për “znaqka”. Le të vazhdojmë kështu. Le të çlirohemi. Herë në shkurt e herë në dhjetor. Le të përjetojmë pranvera shqiptare e dimra shqiptar. Të ngrohemi me çka të mundemi. Le të mos na pengojë as ajri i ndotur, kur mund të nuhasim aromë lirie. E ardhmja është e jona. Mbase edhe sindikatat.