Lajme

Ushtria izraelite konfirmon se ka shtënë në drejtim të një kolone ndihme të OKB-së

12/31/2023 19:07
nga:G B

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se ushtarët e saj në Gazën veriore u përpoqën të ndalonin një autokolonë humanitare të OKB-së të enjten dhe qëlluan “të shtëna paralajmëruese që nuk kishin objektiv automjetet”.

Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë (UNRWA) në Gaza i tha CNN në fillim të kësaj jave se ushtarët izraelitë kishin qëlluar në autokolonën e saj ndërsa po udhëtonte përgjatë një rruge të caktuar nga ushtria izraelite, transmeton Klankosova.tv.

Pas shqyrtimit të incidentit, IDF-ja të dielën tha se kolonës, pasi përfundoi dërgimin e saj të ndihmës, iu kërkua nga trupat izraelite të ndryshonte rrugën e saj të kthimit në jug “për të mbrojtur sigurinë e kolonës nga luftimet që po vazhdonin në afërsi të asaj zonë”.

“Ushtarët e IDF-së të pranishëm në terren nuk ishin në dijeni të ndryshimit të rrugës. Si pasojë e kësaj, kur autokolona mbërriti, ushtarët në terren vepruan për ta ndaluar atë, duke përfshirë edhe të shtëna paralajmëruese që nuk drejtoheshin drejt automjeteve. Kur automjetet ndaluan, forcat pushuan së zjarrit”, thuhet në njoftim.

“Nuk pati viktima në incident, por një nga automjetet u dëmtua nga ‘rikoshet’ nga të shtënat paralajmëruese që u qëlluan”, tha IDF-ja.

Shefi i ndihmës së Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths dënoi incidentin në një deklaratë të premten, duke thënë se autokolona ishte e shënuar qartë dhe se sulmet ndaj punonjësve humanitarë janë të paligjshme.