Çështja e ushqimit të ushtarëve të FSK-së ka qenë ndër temat më aktuale së fundi.
Opozita mbajti dhe seancë të jashtëzakonshme të hënën lidhur me këtë çështje, derisa kritikoi ashpër pushtetin për gjendjen e shkaktuar.
E, gjithë këtë e ka quajtur parafushatë agresive zgjedhore deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se opozita po merret me sektorin më të ndjeshëm, derisa thotë se hallin e kanë te vetvetja pasi një kompani kishte krijuar monopol në FSK por që më s’do të jetë.
“Jemi futur tash në parafushatën elektorale dhe është një parafushatë agresive dhe diçka që e bën më shqetësuese këtë është që po merren me sektorin më të ndjeshëm, atë të sigurisë, të mbrojtjes, për të cilin në të kaluarën nuk ka pasur një zhvillim të tillë, por FSK është e trajnuar, e zhvilluar, ka vëmendje të veçantë nga Qeveria, buxheti është rritur, trefishuar, blerjet janë shumëfishuar. Çështja e ushqimit, me gjasë këta që po bëjnë zhurmë, opozita dhe grupe të interesit duket se më shumë e kanë hallin te vetvetja sepse një kompani që ka furnizuar me ushqim FSK-në, Beni Dona, që për vite të tëra ka pasur monopol në këtë sektor, tanimë nuk do të jetë prezente me ushqim për ushtarët, pasi ka pasur një mal me parregullsi dhe deri te helmimi i ushtarëve. Si duket këta po e bëjnë zhurmën për këtë kompani dhe oligarkë të tjerë, por ne jemi të interesuar që ta mbështesim FSK-në, dhe ajo do të ketë edhe ushqim, edhe mbështetje gjithnjë e më të madhe”, u shpreh ai.
Dugolli thekson se Beni Dona më s’do të jetë në FSK dhe se koncepti i ri do të jetë larg tenderëve.
“Kjo kompani ka pasur monopol në FSK, më shumë se 10 herë janë shpallur kontrata emergjente për shkak se ka dashur ta ruajë monopolin në këtë sektor. Tashmë s’bëhet fjalë për kompani, por për një koncept të ri që është larg tenderëve, koncept më i garantueshëm që siguron dhe cilësi edhe siguri për ushtarët tanë. Konkursi është hapur me 10 tetor deri me 24 tetor, shpresojmë që gjithçka të shkojë si është më së miri dhe të mos ketë ankesa dhe sa më shpejt të rrumbullakohet ky proces dhe të kemi staf profesional në kuzhinat e FSK-së dhe të jetë i përhershëm”, ka vlerësuar deputeti për Gazeta Blic.
Ndërsa, lidhur me letrën e komandantit Jashari për ministrin Maqedonci, Dugolli thotë se s’ka asgjë shqetësuese, pasi janë komunikime normale.
“Ndërsa, sa i përket komunikimeve zyrtare mes komandantit dhe ministrit, janë komunikime të vazhdueshme, normale që bëhen dhe qytetarët duhet t’i marrin të tilla, nuk ka asgjë shqetësuese”, potencoi ai.
Deputeti thotë se s’ka ngecje, ushqimi nuk mungon dhe s’do të reduktohet asnjë aktivitet.
“Nuk ka asnjë lloj ngecje as në realizimin e aktiviteteve e as që do të ketë pasi furnizimet janë në vazhdimësi dhe veç sa po shtohen e as ushqimi nuk po mungon, andaj s’do të ketë nevojë të reduktohet asnjë stërvitje por vetëm shtim të tyre”, ka deklaruar deputeti i VV-së, Enver Dugolli./Gazeta Blic/


