Uruguai triumfoi edhe në ndeshjen e dytë të grupit në “Copa America 2024”, me skuadrën e Bielsa-s që triumfoi 5-0 ndaj Bolivisë në “MetLife Stadium”.
Një takim i dominuar nga fillimi deri në fund nga uruguajanët, teksa e zhbllokuan shpejtë sfidën me Pellistrin në minutën e 8-të.
Darwin Nunez dyfishoi në minutën e 21-të dhe kështu u mbyll pjesa e parë, ndërsa fraksioni i dytë nisi përsëri me dominimin e skuadrës së Bielsa-s, ndërsa Bolivia u tregua totalisht e pafuqishme.
Araujo realizoi golin e tretë në minutën e 77-të, teksa katër minuta më pas Valverde shkundi sërish rrjetën e Viscarra-s.
Llogaritë i mbylli Bentacur me golin e minutës së 89-të dhe Uruguai merr jo vetëm fitoren e dytë në Grupin C, por edhe siguron kualifikimin, teksa Bolivia i mbyll këtu llogaritë, pasi qëndron në fund me zero pikë.
Në takimin tjetër, Panamaja surprizon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me skuadrën e Christiansen që fitoi 2-1.
Takimi nisi shumë shpejtë, me amerikanët që realizuan pas pesë minutash lojë, por goli i McKennie u anulua për pozicion të parregullt.
Në minutën e 18-të, Weah la Shtetet e Bashkuara të Amerikës me dhjetë lojtarë, por vetëm katër minuta më pas Balogun realizoi golin e avantazhit.
Gjithsesi, Panamaja nuk u dorëzua dhe reagoi, duke shfrytëzuar superioritetin numerik dhe duke barazuar reazultatin në minutën e 26-të me Blackman.
Pjesa e dytë ishte maksimalisht e luftuar, teksa amerikanët u ndëshkuan shtatë minuta nga fundi, me Fajardo që përmbysi ndeshjen.
Ndërkohë, në minutën e 88-të Carrasquilla u ndëshkua me kartonin e kuq duke barazuar numrin e lojtarëve në fushë, por rezultati nuk ndryshoi dhe tani Panamaja ngjitet në vendin e dytë me tri pikë, po aq sa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.