Lajme

“Urren mediat sepse është në panik”/ Blaka: Kurti po tenton t’i heshtë mediat, nga frika e rënies me 9 shkurt

12/09/2024 14:55
nga:G B

Drejtori për Informim në AAK, Lulëzim Blaka, e ka kritikuar gjuhën e kryeministrit Albin Kurti ndaj mediave, të përdorur së fundi në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë që ai udhëheq, ku u nominua për kryeministër.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se urrejtja e Kurtit ndaj mediave është tipar autoritar i një kryeministri në panik.

“Urrejtja e paprecedent e Kurtit ndaj mediave është shenjë e qartë e tipareve autoritare të një kryeministri në panik. Kjo sjellje agresive shfaqet pikërisht tani kur qytetarët po kuptojnë se premtimet e tij kanë qenë të rrejshme”, u shpreh ai.

Sipas Blakës, ka dy arsye pse Kurti po tenton t’i diskreditojë mediat.

“Sulmi ndaj mediave është strategji klasike e udhëheqësve që i druhen llogaridhënies. Kurti po përpiqet t’i diskreditojë ato për dy arsye: për të shtypur kritikat ndaj dështimeve të qeverisë dhe për të krijuar armiq imagjinarë që t’i fajësojë për premtimet e pa mbajtura”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Po ashtu, ai shton se Kurti në opozitë i përdorte mediat për propagandën e tij, e tani në pushtet tenton t’i heshtë dhe kjo tregon frikën e tij të rënies me 9 shkurt.

“Ndryshimi drastik i qasjes së Kurtit është domethënës – në opozitë përdorte mediat për propagandën e tij, tani në pushtet përpiqet t’i heshtë. Kjo tregon frikën e tij nga rënia e pritshme e LVV-së më 9 shkurt. Sjelljet e tilla minojnë demokracinë në Kosovë. Qytetarët meritojnë media që mund të bëjnë pyetje të vështira dhe të kërkojnë llogari nga pushtetarët”, ka deklaruar Lulëzim Blaka, Drejtor për Informim në AAK./Gazeta Blic/

Kurti kritikohet ashpër për sulmet ndaj mediave: “Kryeministri në panik”, “do t’i kontrollojë mediat”

 

AGK-ja e dënon gjuhën e rrezikshme të kryeministrit Kurti kundër medieve

Kurti s’dëshiron ta komentojë sulmin e djeshëm ndaj mediave: Flasim në vende të tjera, herë të tjera