Lajme

‘Uroj askush mos ta provojë burgun’, ish-kryebashkiaku i Lezhës lirohet me amnisti

04/24/2024 14:51
nga:Y I

Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj është liruar sot nga burgu i Reçit në Malësi të Madhe, ku vuante dënimin për shpërdorim detyre.

Ai ishte një nga përfituesit e amnistisë penale që nisi zbatimin ditën e sotme. në një prononcim të shkurtër për mediat pasi doli nga burgu Frrokaj tha:

“Shëndet e mbarësi për gjithë shqiptarët, uroj mos ta provojë askush. Të kenë shëndet ata (që janë në burgje) dhe gjithë familjet e tyre”, tha Frrokaj.

Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i qarkut Gjok Ndoka, ishin dënuar me nga 3 vite burg, ndërsa gjykata gjeti fajtorë edhe 15 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kishin nisur në vitin 2017.

Në shtator të vitit 2020, Frrokaj u dënua nga Shkalla e Parë me 4 vite burg për tjetërsimin e pronave te Rana e Hedhun në Shëngjin, por Apeli vendosi t’i ulë dënimin me 1 vit.