Sporti

Urim Statovci: “Luajmë për fitoren e dytë ndaj Gjilanit, synimi i klubit është të qëndrojmë në Superligë”

10/19/2023 13:18
nga:E K

Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së 10’të pas pushimit të kombëtareve.

Në kuadër të xhiros së 10’të zhvillohen 5 ndeshje interesante në mes të cilave edhe ajo mes Gjilanit dhe Fushë Kosovës.

Skuadra e promovuar këtë vit në Superligë, Fushë Kosova ndodhet në pozitë të fundit në tabelë pasi ka siguruar vetëm një fitore, pikërisht kundër kundërshtarit të ardhshëm Gjilanit.

Sulmuesi i Fushë Kosovës, Urim Statovci ka folur për “GazetaBlic Sport” për të komentuar mbi ndeshjen e ardhshme duke thënë që skuadra ka lëshuar pikë prej gabimeve të vogla dhe presin që të sigurojnë edhe fitoren e dytë sezonale pikërisht ndaj Gjilanit në udhëtim.

Presim që të regjistrojmë edhe fitoren e dytë me radhë, pasi kemi bërë një punë shumë të mirë si ekip. Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira, por kemi humbur pikë për shkak të gabimeve të vogla. Jemi duke u përmirësuar dhe besoj që do të arrijmë fitoren e dytë“, tha fillimisht Statovci për “GazetaBlic Sport“.

Unë, si sulmues, kam detyrimin të ndihmoj ekipin të shënoj fitore me gola, dhe shpresoj që të vazhdoj me këtë formë, pasi kam shënuar 2 gola pikërisht kundër Gjilanit“, shtoi ai.

Synimet e klubit tonë janë që këtë vit të qëndrojmë në Superligë dhe sa më shpejt të dalim nga pozita ku gjindemi, pasi në të gjitha ndeshjet kemi zhvilluar lojëra të mira, dhe realisht nuk e kemi merituar të humbasim. Por besoj që ky ka qenë mësim për ne, dhe shpresoj që mos të përsëriten ato gabime dhe të vazhdojmë me rezultate pozitive“, përfundoi sulmuesi i Fushë Kosovës për “GazetaBlic Sport“.

/GazetaBlic Sport/