Lajme

Uran Ismaili: Për keqardhje mosbesimi i presidentes ndaj Institucioneve Publike Shëndetësore

11/03/2022 13:36
nga:G B

Ish ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili, ka reaguar për operimin e presidentes Vjosa Osmani në spital privat, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se është për keqardhje mosbesimi i madh që ky koalicion qeverisës po tregon ndaj Institucioneve Publike Shëndetësore.

Po ashtu, ai ka thënë se është shqetësuese neglizhenca e Qeverisë ndaj shëndetësisë, derisa tani kjo ministri është pa ministër.

Ismaili ka thënë se shëndetësia nuk ndreqet me konferenca për media e as me vizita në shërbim të PR-it personal, por vetëm me investime konkrete, derisa i ka uruar shërim të shpejtë presidentes.

Postimi i tij i plotë:

Qindra dhe mijëra qytetarë të Kosovës marrin shërbime shëndetësore çdo ditë në institucionet publike. Rrjedhimisht, fuqizimi dhe mbështetja e tyre duhet të jetë prioritet për secilin zyrtar dhe secilën qeverisje të vendit.

Sot, është për keqardhje mosbesimi i madh që ky koalicion qeverisës po tregon ndaj Institucioneve Publike Shëndetësore, siç është rasti i operimit të Presidentes në një klinikë private.

Për më tepër, neglizhenca ndaj sektorit të shëndetësisë prej kësaj Qeverie, është edhe më shqetësues.

Brenda pak muajve po e presim ministrin e tretë të Shëndetësisë, ndërkaq, po bëhen tashmë një muaj që kur ky sektor është PA ministër.

Shëndetësia nuk ndreqet me konferenca për media e as me vizita në shërbim të PR-it personal, por vetëm me investime konkrete, të cilat, fatkeqësisht, ende nuk po i shohim askund.

Shërim të shpejtë, Presidente!