Lajme

Ura në SHBA shembet pak para vizitës së Biden

01/28/2022 22:04
nga:Y I

Një urë në Pittsburgh të SHBA është shembur në momentin që po kalonin mbi të katër automjete, përfshirë një autobus.

Zyrtarët raportojnë për 10 persona të plagosur lehtë, ku tre prej tyre janë dërguar në spital.

Shembja ndodhi vetëm pak orë para se Presidenti Joe Biden të mbërrinte për vizitë në qytet ku do të fliste për infrastrukturën.

Zjarrfikësit përdorën litarë me gjatësi më shumë se 100 metra për të nxjerr të plagosurit.

Banorëve të zonës u është kërkuar që të shmangin kalimin afër zonës për arsye sigurie pasi ka rrjedhje gazi në një linjë që kalon poshtë urës.

Mbetet ende e paqartë çfarë e ka shkaktuar shembjen e urës. Kreu i bashkisë, Ed Gainey thotë se inspektimi i fundit ishte kryer në shtator.

Shtëpia e Bardhë thotë se pavarësisht ngjarjes vizita e planifikuar e Biden nuk është anuluar.

Biden do të flasë për ligjin e miratuar së fundmi, ku parashikohet një fond prej 110 miliardë dollarë për riparimin dhe rindërtimin e rrugëve dhe urave.