Lajme

UNMIK-u demanton raportimet se zyrtari i tyre është bashkëpunëtor i shërbimeve ruse të inteligjencës

02/01/2023 19:13
nga:Arsim Buxhovi

Raportime të pabazuara i ka quajtur UNMIK-u pretendimet e mediumit The Geopost se shefi i zyrës rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Danilo Rosales Diaz është bashkëpunëtor i shërbimeve ruse të inteligjencës.

Nëpërmjet nje komunikate misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka thënë se anëtarët e stafit të tij respektojnë standardet më të larta profesionale.

“Në lidhje me pretendimet e fundit të pabazuara, UNMIK-u bën thirrje për kujdes dhe raportim të përgjegjshëm. Anëtarët e stafit të UNMIK-ut respektojnë standardet më të larta profesionale të integritetit, paanësisë dhe neutralitetit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në komunikatë.

Ky mision ka thënë se edhe zyra e Mitrovicës e udhëhequr nga Rosales Diaz punon për t’i lehtësuar marrëdhëniet mes komuniteteve.

“Mandati i UNMIK-ut është të sigurojë kushte për një jetë të qetë dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës. Në vazhdimësi të kësaj, Zyra Rajonale e UNMIK-ut në Mitrovicë, e udhëhequr nga z. Danilo Rosales Diaz, punon për të lehtësuar marrëdhëniet paqësore ndërmjet komuniteteve përmes kontakteve të rregullta me akterët politik, nga sundimi i ligjit dhe komunal, si dhe anëtarët e shoqërisë civile”, thuhet tutje në reagim.

Danilo Rosales Diaz, që nga viti 2016 është shef i Zyrës Regjionale të UNMIK-ut në Mitrovicë.

Sipas burimeve të “The Geopost” ai është bashkëpunëtor i shërbimeve ruse të inteligjencës.

Ky medium pretendon se Diaz ka qenë shumë aktiv edhe në kohën kur serbët lokalë kishin radikalizuar veprimet e tyre në nëntor dhe dhjetor, duke ngritur barrikada anekënd veriut.

Mediumi po ashtu pretendon se ka siguruar një fotografi ku shihet Diaz në oborrin e stacionit policor në Mitrovicën e Veriut, pikërisht në kohën kur po jepnin dorëheqje policët serbë nga Policia e Kosovës, më 7 nëntor të vitit 2022.

Sipas informacioneve të mediumit, Dias në këtë ditë kishte monitoruar situatën, duke i siguruar serbët se ai personalisht do të kujdesej që ta justifikonte heqjen e uniformave të Policisë së Kosovës në qarqe diplomatike të Kombeve të Bashkuara.