Lajme

Universiteti i Oksfordit pezullon testimet e vaksinës Astra Zeneca tek fëmijët

04/07/2021 11:45
nga:Y I

Universiteti i Oksfordit njoftoi të martën se do të pezullojë testimet e vaksinës kundër COVID-19, të krijuar në bashkëpunim me AstraZeneca, tek fëmijët dhe adoleshentët teksa rregullatorët britanikë do të përpiqen të hetojnë lidhjen e mundshme midis mpiksjes së gjakut dhe vaksinës.

“Megjithëse nuk ka shqetësime për sigurinë në testimet klinike pediatrike, do të presim për më shumë informacion nga MHRA e cila po analizon rastet e rralla të trombozës që janë raportuar tek të rriturit përpara se të vijojmë me vaksinimet”, tha universiteti në një deklaratë publike.

“Prindërit dhe fëmijët duhet të shkojnë tek vizitat që kanë rezervuar dhe mund të kontaktojnë me qendrat e testimit nëse kanë pyetje”.

Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Kujdesit ndaj Shëndetit (MHRA) zbuloi të dielën se shtatë persona kishin humbur jetën prej mpiksjes së gjakut nga 30 raste të identifikuara, teksa vendi ka administruar mbi 18 milionë doza.

Rregullatori britanik ka thënë se nuk është e qartë nëse vaksina po shkakton mpiksjet.

“Përfitimet tejkalojnë rreziqet”

“Përfitimet e vaksinës AstraZeneca në parandalimin e infeksionit dhe ndërlikimeve nga COVID-19 tejkalojnë rreziqet dhe njerëzit duhet të vazhdojnë të marrin vaksinën”, tha drejtorja ekzekutive e agjencisë, Dr. June Raine.

Marco Cavaleri, shefi i kërcënimeve shëndetësore dhe strategjisë së vaksinave pranë Agjencisë Europiane të Barnave tha për gazetën italiane “Il Messaggero” se ka një lidhje shkakësore midis vaksinës AstraZeneca dhe rasteve të rralla të mpiksjes së gjakut.

“Po bëhet gjithmonë e më e vështirë që të pranohet se nuk ka një lidhje shkak-pasojë midis vaksinës AstraZeneca dhe rasteve të rralla të mpiksjes së gjakut”, tha Cavaleri.

Në mars, disa dhjetëra shtete pezulluan përkohësisht përdorimin e vaksinës.

Shumica e vendeve të BE rifilluan fushatën me AstraZeneca – disa prej tyre me kufizime për moshat – pasi EMA tha se përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet.

/Euronews Albania/