Lajme

Uniteti qytetar “Banjskat” i bën lehtë të përballueshme

01/22/2024 20:40
nga:Ramiz Lladrovci

Ra Banjska dhe shtetet që mbanin qëndrim gati asnjanës, u deshtë të deklarohen dhe të marrin anë, siç morën anë gjatë luftës tonë çlirimtare. Jo vetëm për Banjskën, por edhe për hapat e mëtejmë.

Ne, Serbinë e njohim moti. Sot, ka tregti, besa disa kanë edhe bashkëpunim, por jo edhe fqinjësi. Fuqitë e mëdha, Serbisë dhe fqinjëve ju dhanë pa dhimbje troje të banuara me shqiptarë dhe u kujdesën që ato të popullohen me kolonë serbë nëpërmjet gjenocidit.

Si pjesëmarrës i organizimeve të para çlirimtare deri në shtetndërtim, qëllimet nuk ishin sulmet ndaj civilëve apo pamundësia e jetës këtu për serbët me komunitetet tjera. Qëllimi ishte largimi i represionit dhe aparteidit serb si burim i të gjitha të këqijave që na ndodhnin.

Lufta jonë për çlirim, ishte e drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtare. Prandaj, bota demokratike në krye me NATO-n, ShBA-në dhe BE-në, dolën në krahun tonë, me bombardime të caqeve ushtarake serbe. Pavarësia jonë u konfirmua nga GjND-ja, dhe jeta jonë ka marrë rrugë të mbarë.

Konflikti i ngrirë, si term që ka filluar të përdoret së fundmi, është prodhim evropian, pasojë e pavendosmërisë evropiane. Pa dashur t’ju hy në hak strategjisë apo politikës së BE-së në raport me Kosovën, megjithatë, ka diçka që nuk shkon.

Është e habitshme që ende ka shtete e diplomatë të cilët presin të ndryshojë Serbia në raport me Kosovën. Presin diçka që nuk ka ngjarë gjatë 150 vjetëve të fundit. Është iluzion evropian.

Ashtu siç u lëmua politika proruse në Ballkan, në Kongresin e Berlinit, gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, me Banjskën vazhdon trendi i njëjtë. Serbia kërkon më shumë se lutje. Shteti ynë duhet të jetë në nivel të sakrificave tona.

Konfliktin e ngrirë, fqinjët tanë e shkrijnë me një shishe raki. Përgjigja jonë me unitet qytetar, “Banjskat” i bën lehtë të përballueshme.