Lajme

“Unifikimi i spektrit politik i panevojshëm, dialogu me Serbinë, përgjegjësi e kryeministrit Kurti”

05/25/2021 11:45
nga:Q R

Analisti politik, Fitim Salihu, ka komentuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka ftuar për takim tre liderët e subjekteve opozitare në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhajt të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Ramush Haradinajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), shkruan Gazeta Blic.

Salihu, në një prononcim dhënë për Gazeta Blic, thotë se nuk është i nevojshëm unifikimi i Qeverisë me opozitën për çështjen e dialogut.

“Nuk pres unifikim dhe nuk e shoh realisht nevojen për një gjë të tillë. Kosova nuk është as në vitin 1999 në Rambuje dhe as në vitin 2006 në Vjenë. Tani Kosova është shtet dhe ka institucionet e saj të pavarura”, deklaron ai.

Sipas tij, Qeveria Kurti është përgjegjëse për procesin e dialogut me Serbinë.

“Qeveria duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon dhe ta udhëheq procesin e dialogut me Serbinë. Koordinimi me opozitën do të ishte i mirëseardhur, por në fund të fundit përgjegjësia e dialogut i takon qeverisë dhe kryeministrit”, thotë ai.

Kryeministri Albin Kurti, do të takohet sot me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në ora 12:00.

Lajmin e kanë konfirmuar dje zyrtarë të AAK-së. Në këtë takim, Kurti dhe Haradinaj, do të diskutojnë për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Takimi mes tyre do të mbahet me ftesë të kryeministrit Albin Kurti.

Ndërsa nesër kryeministri do të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, e ka konfirmuar takimin mes tyre, duke bërë me dije se ai do të mbahet të mërkurën në ora 11:00.

“Tashmë është caktuar koha dhe dita e takimit. Takimi do të mbahet të mërkurën nga ora 11:00”, është shprehur Halimi.

Ndërsa kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj është shprehur se nuk do të marrë pjesë në takim, ani pse Kurti ka bërë ftesë edhe ndaj tij.

LEXO EDHE:

Kurti e Haradinaj takohen sot, flasin për dialogun