Lajme

UNESCO fillon nismën për mbrojtjen e shkrimit të dorës

01/09/2026 07:54
nga:Sh R

UNESCO prezantoi një projekt për mbrojtjen e shkrimit të dorës, që po vihet gjithnjë e më shumë në rrezik nga përhapja e shkrimit dixhital.

Përdorimi masiv i tastierave dhe ekraneve me prekje ka zëvendësuar në masë të madhe shkrimin tradicional me dorë, i konsideruar historikisht jo vetëm një aftësi e fituar, por edhe një tipar themelor antropologjik i zhvillimit njerëzor.

Edhe përpara se shkrimi dixhital të merrte epërsi, mësimdhënia e të ashtuquajturit “bukurshkrim” kishte humbur gradualisht rëndësinë e saj në sistemet arsimore.

Por, përtej varfërimit kulturor, studime të shumta shkencore dhe pedagogjike tregojnë se mospraktikimi i shkrimit të dorës te fëmijët dëmton zhvillimin e aftësive njohëse.

Ndryshe nga shkrimi dixhital, shkrimi i dorës nxit zhvillimin e aftësive të imëta psikomotore (fine motor skills) dhe të procesit të kombinuar lexim–shkrim.

Sipas këtyre studimeve, përdorimi i kufizuar i shkrimit me dorë lidhet edhe me vështirësi specifike të të nxënit, si disgrafia, disleksia dhe diskalkulia.

Ekspertët paralajmërojnë se varësia e hershme nga mjetet dixhitale mund të dobësojë përqendrimin, kujtesën dhe aftësinë për të strukturuar mendimin.

Projekti i UNESCO-s përfshin dimensione kulturore, arsimore dhe ekonomike e synon disa objektiva: rikthimin e shkrimit me dorë në qendër të proceseve edukative; parandalimin e braktisjes së tij përmes praktikës së rregullt, veçanërisht në fazat kritike të zhvillimit të fëmijëve; si edhe nxitjen e përdorimit të tij gjatë gjithë jetës.

Një komponent i rëndësishëm i nismës është edhe vlerësimi i trashëgimisë dokumentare të shkruar me dorë, e cila përfaqëson një pasuri të paçmueshme historike, kulturore dhe artistike.

Për UNESCO-n, shkrimi i dorës nuk është thjesht një aftësi e rëndësishme, por një element kyç i identitetit njerëzor, i të nxënit dhe i transmetimit të dijes ndër breza.

Në një epokë të dominuar nga teknologjia, organizata synon të riafirmojë se mbrojtja e shkrimit me dorë është thelbësore jo vetëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe për cilësinë e arsimit dhe zhvillimin kognitiv të brezave të ardhshëm.