Sporti

Ultrasit e PSG’së “shpërthejnë” ndaj klubit të tyre: Jeni një grup yjesh që nuk kuptoheni mes vete, të largohet edhe Al Khelaifi

03/13/2022 09:13
nga:L J

Pas eliminimit nga Champions League, tifozët e PSG janë shumë të zemëruar me ekipin, me Pochettinon dhe me Al-Khelaifi.

Me lojtarë si Kylian Mbappe, Lionel Messi dhe Neymar që drejtojnë një ekip të mbushur me yje, vendi i parë në Ligue 1 duket të jetë i pamjaftueshëm për të shuar zemërimin e tifozëve për dështimin në Evropë.

Tifozët ultras të Paris lëshuan një deklaratë në të cilën “godasin” ekipin, përcjell GazetaBlic Sport.

“Zhgënjimi i papranueshëm dhe i pashmangshëm që kishim frikë dhe parashikuam fatkeqësisht ka ndodhur,” fillon deklarata e lëshuar nga Collectif Ultra Paris.

“Si mund të keni një plan të vërtetë loje kur skuadra juaj nuk është gjë tjetër veçse një grup ‘yjesh’ që mezi plotësojnë njëri-tjetrin?

“Si mundet një trajner të jetë udhëheqësi i respektuar i dhomës së zhveshjes kur ai nuk është qartë vendimmarrësi i vërtetë?

“Si mund të rindërtoni një skuadër kur zëvendësuesit e përjetshëm mund të shohin me kënaqësi kontratat e tyre me paga kaq komode?”

Deklarata e Kolektivit vazhdon të kërkojë largimin e Al-Khelaifi, duke pohuar se: “Nasser Al-Khelaifi, është e qartë se ai nuk është njeriu për këtë detyrë. Situata aktuale e klubit kërkon riorganizim të plotë në të gjitha nivelet”, shkruajnë ultrasit e PSG’së.

/GazetaBlic Sport