Lajme

Ultimatumi i Macronit për vizat, ish-ministrja e Integrimeve: Qytetarët të mobilizohen për rrëzimin e Qeverisë Kurti

08/29/2023 13:17
nga:Genita C

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj thotë se qytetarët duhet të mobilizohen për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Ahmetaj e tha këtë deklaratë për GazetaBlic, pas ultimatumit të Presidentit francez, Emanuel Macron që i dha Kosovës në lidhje me liberalizimin e vizave.

“Në lidhje me rrezikun e humbjës së mundësisë së liberalizimit të vizave nga janari 2024, mendoj që ajo që do të duhej të bëhej është mobilizimi i qytetarëve të Kosovës për rrëzimin e kësaj Qeverie”, tha Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, Qeveria Kurti e ka kthyer Kosovën shumë hapa pas.

Ky nuk duhet të ishte argument vetëm për ngecjen në liberalizimin e vizave, por për kthimin e Kosovës pas në çdo dikaster të qeverisjes, si brenda ashtu edhe në raport me politikën e jashtme, duke përfshirë edhe cenimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Ahmetaj në fund pyet se dhe sa qytetarët duhet të durojnë një qeverisje të tillë, që sipas saj është injorante.

“Liberalizimi i vizave është pasojë, shkaku i vërtetë është qeverisja injorante e kësaj qeverie. Edhe çka duhet të ndodhë tjetër që ta mobilizoj qytetarin e vendit të ngritet kundër, edhe sa gjatë duhet të durojmë”, tha Ahmetaj për GazetaBlic.

Kujtojmë se, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar të hënën se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

Duke folur më 28 gusht në një fjalim vjetor para ambasadorëve francezë në Paris, Macron tha se nga Kosova dhe Serbia pritet angazhim i qartë në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës në mënyrë paqësore.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha Macron.

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan më 30 nëntor të vitit të kaluar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Lëvizja pa viza për kosovarët do të mundësohet nga 1 janari i vitit 2024.

Komentet e Macronit vijnë në një kohë kur Kosovës i është bërë thirrje vazhdimisht të kthehet në dialog me Serbinë dhe t’i organizojë zgjedhjet e reja në veri të vendit.

/GazetaBlic/

Musliu-Shoshi pas deklaratës së Macron për vizat: Çdo hap duhet në konsultim të plotë me aleatët në të kundërt do të kemi sanksione!

Paralajmërimi i Macron për vizat, reagon deputetja e AAK-së/ Duhet reflektim, Albin Kurti nuk mund të sillet si kryetar partie!