Në Ulqin, në afërsi të urës mbi Port Milenë, sot u mbajt protesta e radhës e ulqinakëve ku u përsërit kërkesa e anulimi të tenderëve për plazhe në Plazhin e Madh.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ishte në përkrahje të protestave nga ku tha se “këtë betejë nuk guxojmë ta humbim”.
“Ulqini sot është më i bashkuar se çdokush. E kemi filluar si betejë për drejtësi me Të Mirat detare, për të bërë sigurinë e duhur ekonomike për jetesë, por për një kohë të shkurtër është shndërruar në një betejë dhe pakënaqësi e të gjithë komunitetit tonë ndaj qëndrimit që ka Podgorica ndaj Ulqinit”.
“Këtë betejë nuk guxojmë me e humb. Prandaj i themi Qeverisë: na ktheni pronat që na i keni marrë nga viti ‘91 e deri tani, na ktheni pronat që na i keni marrë me Ligj të vitit 2009”, deklaroi Nimanbegu.
Ai tha se Ulqini nuk do të heshtë, dhe Ulqini assesi nuk është në shitje.
“Jemi popull krenar, jemi njerëz krenarë, investitorët ne i presim, por ata investitorë të cilët punojnë me kushtet tona. Kemi heshtur shumë për Galeb, por nuk kemi heshtur për Kripore, nuk kemi heshtur për Valdanos dhe ato beteja i kemi fituar. Në të ardhmen ju siguroj që edhe këtë betejë do ta fitojmë, dhe do të ecim përpara”.
“Unë e kam arrit qëllimin, që të gjitha subjektet politike të bëhemi bashkë me një mendim dhe të shohim çka duhet bërë. Këtë e kemi thënë dje, do ta themi edhe nesër. Kërkesat tuaja dhe tonat për anulimin e tenderit, për aneksin e ri për plazha dhe Ligjin e ri për të Mirat detare e përkrahin edhe të gjithë kryetarët e gjashtë komunave bregdetare, prandaj ne nuk jemi vetë”, u shpreh i pari i Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Qiramarrësit e deritanishëm të plazheve të Ulqinit kërkojnë anulimin e tenderit që e fitoi një investitor i huaj, i cili bëri ofertën më të lartë për të marrë me qira plazhet e qytetit në Mal të Zi.
Përveç kësaj, ata kërkojnë zgjatjen e kontratave të qirasë të lidhura vitin e kaluar, me të njëjtat kushte.
Kompania arabe Eagle Hills ka paraqitur ofertat më të larta për numrin më të madh të plazheve në Plazhin e Madh në Ulqin, të cilat deri më tani janë dhënë me qira kryesisht sipërmarrësve vendas.
Investitori arab bëri një ofertë për banorët lokalë. Nga kompania Eagle Hills u bë e ditur se, në rast se marrin plazhet me qira, do t’ua lënë qiramarrësve të deritanishëm me çmimin që ata kanë ofruar në tender.
Kështu tha më 16 mars Mohamed Alabbara, kryetari i Eagle Hills Properties.
Kryetari i Shoqatës së Qiramarrësve të Plazheve në Ulqin, Prela Shkrela, tha se një qiramarrës nuk mund ta japë sërish me qira plazhin dikujt tjetër.
Nga kabineti i kryeministrit Millojko Spajiq, ditë më parë për REL-in u përgjigjën se tenderi është zhvilluar në mënyrë të ligjshme dhe se kjo është prioritet për Qeverinë.