Sporti

Uliks Emra: Kosova gati për histori, koha për kualifikim në Botëror

03/25/2026 12:51
nga:L J

Ish-futbollisti i njohur kosovar, Uliks Emra e konsideron përballjen ndaj Sllovakisë si një ndër ndeshjet më të rëndësishme në historinë e përfaqësueses së Kosovës, duke theksuar se ekipi është i pjekur dhe i gatshëm për të bërë hapin vendimtar drejt kualifikimit në Botëror.

Në një prononcim për GazetaBlic Sport, Emra u shpreh optimist, duke u bazuar në formën aktuale të skuadrës, rezultatet pozitive dhe nivelin e lartë të futbollistëve tanë që aktivizohen në liga të forta evropiane.

“Kjo është një prej ndeshjeve më të rëndësishme që Kosova ka luajtur ndonjëherë. Nuk është vetëm dëshirë emocionale për ta parë ekipin në Botëror, por kemi fakte konkrete që na japin besim, nga përbërja e ekipit, ecuria e rezultateve, deri te performanca individuale e lojtarëve. Ky ekip është pjekur dhe nuk duhet të kënaqet më vetëm me paraqitje të mira, por të synojë kualifikimin,” deklaroi ai.

Megjithatë, Emra paralajmëron se sfida nuk do të jetë e lehtë, duke pasur parasysh forcën e kundërshtarit, por ai beson se Kosova ka kapacitetin për të triumfuar nëse luan me zgjuarsi dhe disiplinë, veçanërisht në mbrojtje.

Ai gjithashtu vlerësoi lart trajnerin Franco Foda, duke e cilësuar si një nga përzgjedhjet më të mira për kombëtaren.

“Foda është trajner me përvojë dhe po dëshmon se është njeriu i duhur. Ai di të menaxhojë skuadrën dhe të përcjellë mesazhe të qarta, si për lojtarët ashtu edhe për opinionin. Edhe përgatitja për detaje si penalltitë tregon seriozitet dhe profesionalizëm të lartë,” shtoi Emra.

Sa i përket përbërjes së ekipit, ai theksoi se pavarësisht mungesave, Kosova ka alternativa cilësore dhe një grup futbollistësh që janë në kulmin e karrierës.

“Futbollistët tanë luajnë në nivele të larta dhe janë fizikisht shumë të përgatitur. Kemi mbi 15 lojtarë që garojnë në liga elitare dhe kjo na bën optimistë për këtë sfidë vendimtare,” u shpreh ai.

Në fund, Emra vuri theksin edhe te roli i tifozëve, duke i konsideruar si një faktor kyç në përkrahjen e ekipit.

“Tifozeria do të jetë lojtari i 12-të. Ata gjithmonë kanë qenë pranë ekipit dhe jam i bindur se do të ndodhë e njëjta edhe këtë herë. Megjithatë, apeloj për kujdes dhe maturi, nuk kemi nevojë për skena që nuk kisha dëshiru t’i shohim, pasi mund të ketë provokime nga shtetet që nuk ia dojnë të mirën Kosovës, andaj të koncentrohemi tek ekipi ynë dhe t’i përkrahim” përfundoi Emra.

Kosova dhe Sllovakia ballafaqohen nesër nga ora 20:45 në Bratislavë, në “Play Offin” e Botërorit 2026.

/GazetaBlic Sport/