Lajme

Ukshini: Dinamika e dialogut ka degraduar

10/10/2024 23:17
nga:Mergim Rreci

Sylë Ukshini, ish-shef i misionit diplomatik në Tiranë dhe njohës i rrethanave politike, ka vlerësuar se dinamika e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka degraduar.

“Mendoj që dinamika e dialogut, ashtu si ka rrjedhur, ka degraduar, sepse duhet të pranojmë se deri në vitin 2020 është folur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë. Tani kemi rrëshqitur gjithnjë e më shumë në tema të veçanta, dhe mendoj se kjo është pak e rrezikshme. Është një kurth serb që çështjet të diskutohen temë pas teme, në mënyrë që të iket marrëveshja gjithëpërfshirëse”, tha ai për ‘Lajmet e Fundit’ në RTK.

Sipas tij, Kosova ka interes të diskutojë vetëm për marrëveshjen gjithëpërfshirëse.

“Nga këndvështrimi im, Marrëveshja e Ohrit nuk përmbush pritjet e Kosovës, nuk është një marrëveshje serioze, por është më shumë për të menaxhuar situatën dhe për të mbajtur procesin deri në një moment të ri”, tha Ukshini.