Civilët në Ukrainë, të cilët vazhdojnë jetesën e tyre pavarësisht rrezikut të shembjes së banesave dhe ndërtesave të dëmtuara rëndë, përpiqen të mbijetojnë nën kushte jashtëzakonisht të vështira.
Civilët në rajone të ndryshme të Ukrainës jetojnë në ndërtesa të shembura pjesërisht nga bombardimet intensive në luftën Rusi-Ukrainë.
Pavarësisht të gjitha vështirësive edhe pse nuk marrin shërbimet për gaz dhe energji elektrike në ndërtesa kryesisht të shembura, civilët nuk i braktisin strehat e tyre.
Disa civilë që vazhdojnë jetën në ndërtesa të dëmtuara rëndë në zonën Horenka, mbijetojnë falë ushqimeve të ngrohta dhe ndihmave humanitare që shpërndahen çdo ditë në zonë.
Ata që jetojnë në qytetet Bucha, Irpin, Hostomel, në fshatin Moshchun dhe qytezën Horenka, përpiqen të mbijetojnë duke ndihmuar njëri-tjetrin nën kushte të vështira dimri.
Nadiya Vasilenko është një 71-vjeçare e cila jeton e vetme prej muajsh në një ndërtesë me pesë kate, e cila është dëmtuar rëndë dhe është shembur pjesërisht si pasojë e sulmeve të avionëve.
Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Vasilenko tha se temperaturat e motit kanë rënë nën zero, se ka vazhdimisht reshje shiu dhe bore dhe se për këtë arsye rrjedh ujë nga çatia.
Duke theksuar se pas fillimit të luftës më 24 shkurt kanë qëndruar për 10 ditë bashkë me fqinjët e tjerë në strehimoren poshtë shtëpisë, Vasilenko tha se “Konfliktet sa vinin e shtoheshin. Ndërsa më 4 mars dyert dhe dritaret në ndërtesë filluan të fluturojnë. Të njëjtën ditë na evakuuan”.
Me 8 dhe 9 mars raketat goditën ndërtesën dhe u shemb kati i mesën i ndërtesës, tha Vasilenko, e cila shtoi se pas muajit prill u rikthye në shtëpinë e saj.
“E mbush shishen plastike me ujë të nxehtë. Kam dy batanije dhe ngrohem me ato. Çdo natë pres ardhjen e mëngjesit. E rëndësishme është të jemi të shëndetshëm. Ne jemi ukrainas, jemi të fortë. Ne do të fitojmë. Jam e sigurt se çdo gjë do të bëhet mirë”, tha ajo duke theksuar se vazhdon të jetojë nën kushte të rënda.
Vasilenko shpjegoi se ka kryer disa riparime për t‘u mbrojtur nga moti i ftohtë. “Presim që të vijë dhe të kalojë viti i ri. Më pas moti do të fillojë të ngrohë gradualisht”, u shpreh Vasilenko
Ndër të tjera Vasilenko tha se çdo ditë në zonë shpërndahen nga vullnetarët ushqime të ngrohta për njerëzit në nevojë dhe se nën kushte të vështira vazhdojnë të jetojnë edhe njerëzit në ndërtesa të tjera përreth që janë dëmtuar.


