Lajme

Ukraina konfirmoi se forcat ruse kanë sulmuar një depo të armatimit

03/19/2022 16:13
nga:Astrit Gashi

Forcat ruse kanë kryer një sulm me raketa në një depo të raketave dhe municioneve në vendbanimin Deliatin, në rajonin Ivano-Frankivsk në perëndim të Ukrainës, tha një zyrtar ushtarak ukrainas.

Zëdhënësi i forcave ajrore të Ukrainës, Yuri Ihnat, tha se ende nuk është konfirmuar nëse raketa e përdorur nga rusët ishte me të vërtetë një Kinzhal, raketë më e re hipersonike apo bëhet fjalë për ndonjë lloj tjetër arme.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes ruse njoftoi se ushtria ruse ka goditur depon nëntokësore në Deliatin me një raketë hipersonike Kinzhal, të cilën e përdori për herë të parë në luftime.

Sipas zyrtarëve rusë, Kinzhal, raketë me të cilën janë të pajisur aeroplanët luftarakë MiG-31, ka një rreze veprimi deri në 2000 kilometra dhe fluturon 10 herë më shpejtë se shpejtësia e zërit.