Lajme

Uglanin: Hapat konkretë për hapjen e Urës së Ibrit duhet t’i marrë Qeveria

05/31/2024 17:59
nga:Y I

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, ka thënë se ky organ ka bërë gjithçka në kompetencën e tij për çështjen e hapjes së urës së Ibrit.

Sipas tij, tash i takon nivelit qendror ta procedojë tutje.

Uglanin u ka thënë gazetarëve se nuk kanë marrë përgjigje nga ministritë përkatëse që kur në prill 2023 u mor vendimi në Kuvendin e Komunës që të hapej ajo urë për qarkullimin e automjeteve.

“Prej Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kemi marrë asnjë letër, as nga Ministria e Pushtetit Lokal. Në problemin e hapjes së urës është bashkësia ndërkombëtare sepse është prezent në urë. Janë kompetenca të MPB dhe Qeverisë përmes dialogut edhe me bashkësinë ndërkombëtare, por ne nuk mundemi si Kuvend dhe nuk kemi të drejtë t’i bisedojmë këto çështje pasi e kemi sjellë vendimin, hapat konkretë duhet t’i marrë Qeveria”, ka deklaruar ai.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Komunës në Mitrovicë të Veriut, Skënder Sadiku, e ka quajtur të palogjikshme që ura e Ibrit vazhdon të qëndrojë e mbyllur për automjete.

Ai ka bërë të ditur se Kuvendi i Komunës e ka shprehur një vullnet të lirë që të hapet qyteti për të gjithë. Sipas tij, edhe përfaqësuesit serbë dëshirojnë hapjen e urës.

Kurse, KFOR-i ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në këtë urë./rtk/