Kongresi i 50-të i UEFA-s, i mbajtur sot në Bruksel, miratoi një sërë vendimesh me rëndësi për qeverisjen dhe zhvillimin e futbollit evropian.
Një nga vendimet kryesore ishte miratimi i emërimit të David Terrier, president i FIFPRO Europe, si përfaqësues i kësaj organizate në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Terrier do të ketë mandat trevjeçar me të drejta të plota votimi, i cili do të zgjasë deri në Kongresin e UEFA-s në vitin 2029.
Gjatë Kongresit, anëtarësia e nderit e UEFA-s iu akordua Fernando Gomes, në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në futbollin europian. Ish-lojtari i njohur portugez është vlerësuar për drejtimin e Federatës Portugeze të Futbollit dhe të Ligës Portugeze, si dhe për angazhimin e tij në strukturat drejtuese të UEFA-s dhe FIFA-s, përfshirë detyrën si zëvendëspresident i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe anëtar i Këshillit të FIFA-s.
Delegatët miratuan gjithashtu Raportin Vjetor të UEFA-s për sezonin 2024/25, raportin financiar dhe pasqyrat financiare për të njëjtën periudhë, si dhe buxhetin për vitin financiar 2026/27. Po ashtu, u votuan disa ndryshime në Statutin e UEFA-s.
Në përfundim, u vendos që Kongresi i 51-të i zakonshëm i UEFA-s të mbahet më 4 mars 2027 në Astana, Kazakistan.


