Sporti

UEFA ndryshon formatin e Nations League nga sezoni 2028/29

05/20/2026 17:11
nga:Mergim Rreci

UEFA ka konfirmuar ndryshime të rëndësishme në formatin e UEFA Nations League, të cilat do të hyjnë në fuqi nga sezoni 2028/29.

Kompeticioni do të kalojë nga sistemi aktual me katër liga në një strukturë të re me tri liga prej nga 18 skuadra secila, transmeton GazetaBlic Sport.

Sipas planit të ri, çdo ligë do të ndahet në tri grupe me nga gjashtë kombëtare. Çdo përfaqësuese do të zhvillojë gjashtë ndeshje ndaj pesë kundërshtarëve të ndryshëm, duke sjellë një format më të balancuar dhe më konkurrues.

Për shkak se UEFA ka gjithsej 55 federata anëtare, Liga C do të ketë një grup me shtatë skuadra. Kjo do të bëjë që kombëtaret në atë grup të nisin kalendarin e tyre një dritare ndërkombëtare më herët se të tjerat.

Ndërkohë, fazat finale të kompeticionit nuk do të ndryshojnë. Çerekfinalet, “Final Four” dhe ndeshjet play-off për promovim dhe rënie nga liga do të mbeten pjesë e formatit aktual.

UEFA ka bërë të ditur se po vazhdon punën mbi detajet përfundimtare të projektit, ndërsa miratimi zyrtar i formatit të ri pritet të bëhet në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv në muajin shtator.

Me këtë ndryshim, shtëpia europiane e futbollit synon ta bëjë Nations League më dinamike, më atraktive për tifozët dhe më të lehtë për t’u integruar në kalendarin ndërkombëtar të ndeshjeve.

/GazetaBlic Sport/