Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur të gjobisë sërish Federatën Shqiptare të Futbollit me shumën 47,500 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së raundit të dytë në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” ndaj Kroacisë, e luajtur në stadiumin e Hamburgut më 19 qershor 2024.
Penalizimi financiar ka ardhur sërish nga problematika e shkaktuar nga disa tifozë shqiptarë, të cilët ndezën flakadanë gjatë ndeshjes, transmetuan mesazhe të papërshtatshme gjatë ndeshjes Kroaci – Shqipëri si edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë zhvillimit të lojës, transmeton GazetaBlic Sport.
Edhe njëherë tjetër Federata e Futbollit gjen rastin t’u bëjë apel të gjithë tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e këtyre incidenteve dhe trazirave totalisht të evitueshme, që mund të sjellin penalitete financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar. Gjithashtu, FSHF bën me dije se gjatë ndeshjeve nuk lejohen mesazhet me natyrë jo sportive (politike, etnike, etj).
FSHF fton tifozët dhe futbolldashësit të mbështesin deri në fund Kombëtaren shqiptare në këtë rrugëtim magjik dhe historik në EURO 2024, duke treguar qytetari dhe përgjegjshmëri përmes një sjellje korrekte e duke respektuar rregullat dhe kundërshtarët.
Vendimet e plota të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA:
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 2500 euro për ndezjen e fishekzjarreve.
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 20.000 euro për pushtimin e fushës.
Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 25.000 euro për transmetim e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive.
/GazetaBlic Sport.