Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain do të luajnë mes vete në ndeshjen kthyese të vlefshme për fazën e 1/8-tës në Ligën e Kampionëve.
Bavarezët janë nikoqir të parisienëve në takimin shumë të vlefshëm për rrugën e të dyja skuadrave drejt çerekfinales së madhe.
Ndeshja e parë përfundoi me rezultat 0 me 1 në të mirë të skuadrës gjermane, e cila ka tashmë një avantazh të konsiderueshëm.
Në lidhje me këtë përballje shumë interesante, Petrit Sadriu, udhëheqësi i tifo-grupit “Bavarezët”, në Kosovë, tha për ‘GazetaBlic Sport’ se pret një ndeshje shumë interesante, por që beson se skuadra e Bayern Munich do të triumfojë.
Sadriu është një tifoz i ‘zjarrtë’ i kësaj skuadre, i cili udhëton shumë shpesh dhe është pranë skuadrës edhe në ndeshjet në Gjermani.
“Bayerni hyn sonte në lojë me avantazhin e një goli, dhe fitorën mininale 1:0 të shënuar si mysafir në Paris. Në ndeshje të tilla, ku ndeshën dy super ekipe, fituesi dallon në nuanca, pasi që kemi para nesh një ndeshje tepër interesante. Bayerni gjithmonë hyn si favorit në ndeshje e posaqërisht në ato, të cilat i luan në “Allianz Arena”. Kështu që besoj, se përkundër ndeshjës së vështirë, Bavarezët do të triumfojnë sonte“, tha fillimisht Sadriu.
Më pas, i pyetur se a beson skuadra e Bayern Munich ka potenical për ta fituar këtë edicion të Ligës së Kampionëve, ai tha se fillimisht duhet kaluar ‘pengesa’ PSG dhe më pas të mendohet për trofeun e 7-të.
“Skuadra e Bayernit këtë sezonë ka një potencial të madh dhe një faktor për të fituar këtë sezonë Ligën e Kampionëve mund të jetë edhe banka rezervë Bavareze, e cila është e mbushur me lojtar cilësorë. Në sytë e mi është shumë e ngjashme me skuadrën e 2020. Por fillimisht me rëndësi është që sonte të kalojmë pengesën e quajtur Paris dhe pastaj shpresoj që t’i bëjmë hapat e duhur drejt titullit të 7-të të kësaj gare“, përfundoi Sadriu.
/GazetaBlic Sport/